Inspektorati sanitar, këtë javë është duke bërë inspektimin e sektorit të gastronomisë, për të parë nëse janë duke u respektuar masat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas zëdhënësit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, të gjithë inspektorët janë duke punuar me gjithë kapacitetin për të parë nëse qytetarët e edhe bizneset janë duke vepruar në bazë të rregullave, raporton KOHA.
E pa asnjë masë mbrojtëse, e pa distancë sociale, qytetarë të shumtë janë parë këtë të mërkurë, në kafenetë e Prishtinës.
Situatë e njëjtë ishte edhe në qytetin e Fushë-Kosovës, ku ditë më parë u konfirmuan 5 raste me koronavirus, njëri prej të cilëve zyrtar në Policinë e Kosovës.
Në anën tjetër, në Klinikën Infektive këtë të martë po trajtohen 21 persona, prej tyre 11 pozitivë me COVID-19. Sipas kësaj klinike, 1 pacient vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.
Edhe 19 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar këtë të mërkurë, në Kosovë, duke e çuar numrin në mbi 1 mijë e 130, kurse prej tyre janë shëruar rreth 870 persona.
Sipas, IKSHPK-së, rastet pozitive janë raste kontakti 14 nga komuna e Vushtrrisë, dhe nga një rast në komunën e Fushë Kosovës, Obiliqit, Podujevës, Kamenicës e atë të Mitrovicës.