Dredhia e Grenellit

Gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” thekson në një koment se qëllimi i Richard Grenellit ishte që me një dredhi të quajtur “samit paqësor” të tërhiqte trupat nga Kosova para zgjedhjeve në SHBA.

Në një koment të botuar në numrin e së shtunës gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” kërkon angazhim serioz të europianëve në Kosovë. Gazeta nga Müncheni shkruan: “Kur një amerikan dëshiron të shquhet për ndonjë punë në Ballkan, ai me gjasë duhet ta ketë emrin Richard. Diplomati legjendar Richard Holbrooke arriti të imponojë paqen pas luftërave të përgjakshme të viteve 90-të – ky ka qenë kontributi më i madh negociator pas Luftës së Ftohtë. Pasardhësi i tij i padenjë Richard Grenell për fat të mirë dështoi me dredhinë e tij. Samiti paqësor i iniciuar prej tij mes Serbisë dhe Kosovës ka dështuar, sepse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi po ballafaqohet me një aktakuzë si kriminel lufte”.

Sipas “Süddeutsche Zeitung” motivi i Grenellit ishte shumë i thjeshtë: qëllimi i tij ishte “të ndërtonte një skenë” për tërheqjen e trupave amerikane nga Ballkani, para zgjedhjeve në SHBA. “Për të arritur këtë qeveria e Trumpit do të pranonte shkëmbime territoriale mes Serbisë dhe Kosovës dhe një rritje masive të ndikimit kinezo-rus në rajon. Përpjekjet e mundimshme të BE-së për paqësimin dhe integrimin e rajonit do të hidheshin në ajër me një goditje. Brenda një jave qeveria e SHBA-ve dy herë ka vepruar kundër interesave të shteteve të BE-së. Pas premtimit për vendosjen e trupave amerikane në Poloni (pas tërheqjes së tyre nga Gjermania, v.j.) tani për tani dështoi së paku aksioni i pamenduar në Ballkan. BE tani duhet urgjentisht dhe me krejt fuqinë që ka të dëshmojë ndikimin e saj në të dy këto arena. Europa dhe fqinjët e saj nuk duhet të lejojnë të dëmtohen nga SHBA-të gjatë javëve – shpresojmë të fundit – të Trumpit”.

Reklama e sponzorizuar