Ekonomia zvicerane: Niveli i para krizës nuk arrihet para vitit 2022

Sipas ekonomistëve të organizatës ekonomike ombrellë të Zvicrës “Economiesuisse”, Zvicra aktualisht ndodhet “në recesionin më të thellë të dekadave të fundit” për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ata, siç njoftuan në një komunikatë të lëshuar të martën, presin një rënie prej 5.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin aktual, shkruan sda.ch.

Situata pra mund të jetë më së shumti e krahasueshme me atë të krizës së naftës, të vitit 1975, e cila pati bërë që PBB zvicerane të binte për 6.7 për qind, transmeton albinfo.ch.

Shumica e instituteve të tjera të që bëjnë parashikime të kësaj fushe presin një rënie të këtyre përmasave, në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Economiesuisse gjithashtu parasheh se ekonomia nuk do të rimëkëmbet shpejt. Pas një rikuperimi të shpejtë të pjesshëm gjatë verës së vitit 2020, pason “rruga e vështirë drejt kthimit, me dinamizëm të ulët”.

Për sa kohë që nuk do të ketë në dispozicion vaksinë gjithëpërfshirëse, ekonomia globale do të vazhdojë të vendnumërojë, thotë ajo.

Prandaj, në veçanti i dëmtuar do të jetë eksporti i produkteve industriale pasi që varet për një kohë të gjatë nga kërkesa ndërkombëtare. Kjo vlen veçanërisht për ato pjesë të industrisë që prodhojnë mallra kapitale dhe produkte të konsumit me cilësi të lartë, thuhet në komunikatë.

Në përgjithësi, për vitin 2021 mund të pritet fare pak rritje dinamike, transmeton albinfo.ch. Me një normë prej +4.1 për qind, niveli ekonomik i kohës së para krizës nuk do të arrihet pra në vitin e ardhshëm.

Kjo do të jetë mbase e mundur vetëm në vitin 2022. Sipas ekonomistëve të shoqatës, zhvillimi i ngadaltë do të çojë në një normë mesatare vjetore të papunësisë prej 4.3 për qind në 2021.

Sipas informacionit të ofruar, parashikimi i Economiesuisse supozon se nuk do të ketë bllokim të dytë në Zvicër ose në tregjet e rëndësishme të shitjeve, përcjell albinfo.ch. Ndërkaq, në rast të një vale të dytë, rimëkëmbja e ekonomisë globale në dimrin e ardhshëm do të ishte në rrezik të madh.

Në të kundërt, një zhvillim dukshëm më pozitiv është i mundur nëse një vaksinë do të jetë e disponueshme për sezonin e gripit 2020/21.