Europa Lindore po e përjeton më keq krizën e Covid-19

Recesioni nga COVID-19 në Europën Lindore mund të arrijë atë të periudhës postkomuniste. BE po përballet me një rënie ekonomike, por vendet e Lindjes janë veçanërisht të brishta.

Deri tani, Europa është goditur më rëndë se çdo kontinent tjetër nga Covid-19, por pandemia i ka ngjarë më tepër një tornadoje sesa një uragani, duke shkatërruar disa zona dhe duke i lënë të tjera pothuajse të paprekura, shkruan The Economist. Europa Lindore është prekur më pak se Perëndimi, madje edhe Gjermania Lindore më pak se Gjermania Perëndimore. Europa Jugore ka vuajtur më shumë se Veriu.

Hendeqet midis vendeve fqinje janë të habitshme: vdekshmëria për person në Spanjë është më shumë se trefishi i asaj në Portugali, dhe ajo e Francës sa katërfishi i Gjermanisë. Edhe ndikimi ekonomik është i pabarabartë. Teksa dalin parashikimet e dëmeve ekonomike të pandemisë, Europa Qendrore dhe Lindore duket se janë veçanërisht të rrezikuara.

Reklama e sponzorizuar

Kjo nuk do të thotë se gjendja në pjesën tjetër të kontinentit është e mirë. Në tremujorin e parë të vitit 2020, BE pësoi tkurrjen më të thellë ekonomike. PBB-ja e saj u tkurr me 3.5% krahasuar me tremujorin e kaluar. Ekonomia më e madhe e Europës, Gjermania, u tkurr me 2.2% në të njëjtën periudhë. Shifrat për tremujorin e dytë, kur masat bllokuese ishin më të rreptat, pritet të jenë shumë më të këqija.

Të dhënat e fundit tregojnë se aktiviteti ekonomik e BE-së në mars dhe prill, ka rënë me rreth 30% krahasuar me një vit më parë. Më 6 maj, Komisioni Europian parashikoi një “recesion të thellë e të pabarabartë”, ku këtë vit, PBB pritet të kontraktohet me 7.5% për BE-në në tërësi dhe pak më shumë në pjesën që përdor euron. Disa parashikues janë edhe më pesimistë: banka e investimeve, Morgan Stanley, parashikon një rënie prej 11%.

Thellësia e recesionit të çdo vendi do të varet nga kohëzgjatja e masave bllokuese, rreptësia e distancimit social dhe forca e konsumit, shpjegon Jacob Nell, një ekonomist në bankën Morgan Stanley. Banka mendon se ekonomia e Gjermanisë do të tkurret me 8% në vitin 2020, e Francës me 11% dhe e Italisë me 15%. Bllokimi në Gjermani ishte një nga më të lehtët në Europë: fabrikat dhe transporti publik ishin aktivë gjatë gjithë kohës, dhe dyqanet, restorantet, parukeritë, bibliotekat, kopshtet zoologjike dhe disa shkolla, janë rihapur. Franca, Spanja dhe Italia e bllokuan shumë më tepër ekonominë e tyre.

Ashtu si Gjermania, Europa Lindore ka pasur një shkallë të ulët infeksioni dhe vdekshmërie, dhe po i lehtëson masat bllokuese më herët. Sllovakia, për shembull, regjistroi vetëm 1,513 raste me COVID-19 dhe 28 vdekje; Austria fqinje kishte 16.557 raste dhe 643 vdekje.

Frika ruan vreshtin

Europianolindorët patën rezultate më të mira pjesërisht për shkak se e dinin që ndodheshin në një gjendje më delikate: nga frika se pandemia mund të mbingarkonte shpejt sistemet e kujdesit shëndetësor, ata imponuan karantinat me rreptësi dhe shpejtësi, duke e përmbajtur virusin shpejt. (Për shembull, shpenzimet e kujdesit shëndetësor për person në Poloni dhe Hungari, janë afërsisht sa një e katërta e nivelit të Austrisë në paritetet e fuqisë blerëse.) Këtu ndikoi edhe fakti se pak europianolindorë shkojnë për ski në rezorte të shtrenjta në Itali ose Austri, që ishin edhe pikat e nxehta të koronavirusit.

E megjithatë, dhimbja ekonomike mund të jetë më e madhe në Lindje sesa në Perëndim. “Europianolindorët e përballuan pandeminë në mënyrë efikase”, vëren Richard Grieveson nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare (WIW), “por ky recesion do të jetë po aq i rëndë sa recesionet e tranzicionit” – pas rënies së komunizmit. Në pesë vitet pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, prodhimi vjetor në vendet e ish-bllokut ra më shumë se 40%.

Vendet e Europës Lindore janë të brishta për 3 arsye. Së pari, ekonomitë e tyre janë të varura nga eksporti, duke i lënë ato në mëshirën e kërkesës në vendet e tjera. Si përqindje e PBB-së, eksportet e mallrave dhe shërbimeve shkojnë nga 96% në Sllovaki dhe 85% në Hungari, në 67% në Bullgari dhe 61% në Letoni. Për qëllime krahasimi, në Spanjë ky raport është 35%.

Arsyeja e dytë është se qeveritë e Europës Lindore kanë më pak aftësi për të financuar paketat e shpëtimit. Ato nuk mund të përballojnë deficite të mëdha sepse investitorët tregohen të kujdesshëm në dhënien e huave. Shumica kanë nivele të ulëta të borxhit publik, por vlerësimet e tyre të kredisë kanë prirjen të jenë të dobëta. Borxhi i Austrisë, si përqindje e PBB-së, është mbi tre herë më i lartë se ai i Bullgarisë. Megjithatë, obligacionet e tij vlerësohen AA+ nga Standard and Poor’s, një agjenci vlerësimi, ndërsa të Bullgarisë vlerësohen me BBB.

Së fundmi, një numër i madh vendesh në Lindje janë shumë të varura nga një prej industrive më të goditura nga pandemia: turizmi. Për shembull, në Kroaci ai gjeneron 25% të PBB-së. WIIW mendon se ekonomia e Kroacisë do të tkurret me rreth 11% në vitin 2020.

Në anën pozitive, Europa Qendrore mund të përfitojë nga varësia e saj nga Gjermania, e cila pritet të rimëkëmbet shpejt. Deri tani, Gjermania është partneri më i madh tregtar i vendeve të Vishegradit (Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia). Morgan Stanley pret që ekonomia gjermane të zgjerohet me 6.4% në vitin 2021, dhe bizneset gjermane janë më të sigurt në lidhje me perspektivën e këtij viti, sipas një studimi javën e kaluar nga Instituti Ifo. Të qenët jashtë Eurozonës gjithashtu ka avantazhet e veta: WIIW pret që Republika Çeke dhe Polonia të përfitojnë nga zhvlerësimi i monedhës korona dhe zloti.

Zoti Grieveson mendon se kriza do të ndryshojë rrënjësisht disa aspekte të ekonomive të rajonit, në disa raste edhe për mirë. Europa Qendrore dhe Lindore mund të përfitojnë nga “afërsia” (lëvizje nga ana e prodhuesve të Europës Perëndimore për të sjellë prodhimin më afër vendit, me qëllim për të krijuar pavarësi nga Kina). Rritja e blerjeve në internet, e cila pritet të vazhdojë edhe pas uljes së pandemisë, mund të ndihmojë gjithashtu. Shërbimet e ndërlidhura, si Call Center dhe magazinat, mund të transferohen në këtë rajon.

Parashikimi i Komisionit vëren se rimëkëmbja do të jetë “e pasigurt”, veçanërisht në vendet e goditura fort, që ishin të dobëta edhe para goditjes së pandemisë. Komisioni paralajmëron se një rimëkëmbje jo e plotë në një vend, mund të pengojë rritjen ekonomike kudo. Kjo është një thirrje për europianët që të bëjnë atë që bënë gjermanët pas rënies së Murit të Berlinit: të ndihmojnë njëri-tjetrin për të mirën e të gjithëve.