Prishtinë, 25 qershor – Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar gjatë dy javëve të fundit një seri forumesh për të diskutuar rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë COVID-19. Këto forume janë organizuar bashkërisht me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, përmes projektit Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat (PPSE).
Gjithsej janë mbajtur pesë sesione të ndryshme me pjesëmarrës nga fusha e turizmit e HoReCas (hotele, restorante dhe kafeteri), përfshirë: operatorë turistikë, agjensi udhëtimesh, ekspertë vendor e ndërkombëtar të turizmit, përfaqësues të nivelit komunal, menaxherë e pronarë të hoteleve e restauranteve, perfaqësues nga shoqata e gastronomëve, shoqata të turizmit, udhërrëfyes malorë, përfaqësues nga dogana dhe aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës.
Temat që u diskutuan gjatë forumit ishin dëmet e shkaktuara nga pandemia në turizëm dhe sektorë tjerë të ndërlidhur, procesi i hapjes dhe adaptimi i operimeve në sektorin e turizmit, standardet e shëndetit dhe sigurisë, pako e rimëkëmbjes si dhe u dhanë rekomandime konkrete për lehtësimin e gjendjes.
Qëllimi kryesor i këtyre forumeve ishte që të dilet me rekomandime të zbatueshme dhe të hartohet një agjendë për masat e nevojshme që duhen ndërmarrë më tutje për rimëkëmbje.
Disa nga rekomandimet e dala nga diskutimet e pjesëmarrësve në forum janë:
Hapja e zonës së gjelbër kufitare.
Zvogëlimi i TVSH-së për sektorinë e hotelerisë dhe akterë tjerë të ndërlidhur me turizmin.
Subvencionimi i pagave të punëtorëve të sektorit të HoReCa në vlerë prej 170 euro të parapara në pakon emergjente fiskale, të vazhdohet deri në fund të vitit 2020.
Të bëhët ekzekutimi i mjeteve të parapara në pakon emergjente fiskale për të gjithë ata të cilët akoma nuk i kanë pranuar mjetet për pagat si dhe subvencionim të qerasë.
Të zvogëlohet norma e interesit të kredive si dhe të largohen nga kategoria e riskut të lartë kompanitë nga sektori i HoReCa-së (hotele, restaurante, kafiteri).
Të gjindet një modalitet se si të ju ndihmohet bizneseve me kreditë ekzistuese.
Të përfshihet sektori i turizmit në Pakon e rimëkëmbjes ekonomike.
Të kthehet fokusi tek turizmi vendor dhe promovimi i turizmit vendor.
Të përpilohet një strategji që stimulon qytetarët e vendit dhe diasporën të përkrahin dhe shfrytëzojne turizmin brenda kufijve(lokal).
Të ketë instruksione dhe rregulla të qarta të cilat komunikohen në mënyrë të rregullt tek guidat, operatorët turistikë dhe akterët tjerë të turizmit.
Ndërtimi i një platforme me qëllim vetëdijësues dhe informativ për masat që duhet ndjekur bizneset dhe hapat për menaxhim të krizave.
Të përgatit një manual informativ (ilustrativ) për turistët që kanë si destinacion Kosovën.
Mes tjerash, është konkluduar se është shumë e rëndësishme që në këtë kohë të orientohet vëmendja nga turizmi, marrë parasysh se kjo industri është një ndër më të prekurat për shkak të masave kufizuese të marra për parandalim të pandemisë Covid-19, të cilat janë lehtësuar vetëm javëve të fundit.