Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha të martën se qeveria franceze do t’i ofrojë 15 miliardë euro si përkrahje për industrinë e aviacionit, e cila është goditur rëndë nga kufizimet e lëvizjes si pasojë e pandemisë.
“Ne do të shpallim një gjendje emergjente për ta shpëtuar industrinë tonë të aviacionit në mënyrë që ajo të mund të jetë më konkurruese”, tha ministri Le Maire gjatë një konference për gazetarë në Paris.
“Nëse nuk do të ndërhynim menjëherë, një e treta e vendeve të punës në këtë sektor do të ishin zhdukur. Kjo shifër është rreth 100,000 vende pune të drejtpërdrejta dhe të tërthorta në sektor”, shtoi ai.
Qyteti Toulouse është vendi ku ndodhet selia kryesore e prodhuesit të aeroplanëve “Airbus”, që për disa dekada i ka përkrahur qindra ofrues së shërbimeve në rajon.
Megjithatë, porositë janë ndalur në kohën kur kompanitë ajrore në mbarë botën kanë paralajmëruar se po përballen me katastrofë pasi që e ardhmja e udhëtimeve mbetet shumë e paqartë për shkak të pandemisë.
Qeveria franceze tashmë ka njoftuar se kompania “Air France-KLM”, që ka deklaruar humbje prej 1.8 miliard eurosh në çerekun e parë, do t’i marrë shtatë miliardë euro kredi nga shteti ose të përkrahura nga shteti.