Një orë para se të niste seanca për votimin e qeverisë së re më 3 qershor, ajo në detyrë mbajti një mbledhje dhe shkarkoi bordin e ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit rajonal “Mitrovica”.
Drejtorët e shkarkuar të KRU “Mitrovica” janë: Besim Shyti, Safet Sadiku dhe Faton Zekaj.
Fshesa, shkarkim, lirim nga detyra, shfuqizim vendimesh për emërim, janë disa nga frazat që me dhjetëra herë u dëgjuan nga fillimi i muajit shkurt, kur zyrtarisht nisi punën qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje bashkë me LDK-në.
Ishin dakorduar që partitë të mos kenë rol në përcaktimin e të zgjedhurve për pozita në borde dhe menaxhimin e agjencive shtetërore.
Praktika e ndërtuar në dekadën e fundit nuk kishte lënë shumë hapësirë për imagjinatë: pozita të rëndësishme në institucione e ndërmarrje publike rezervoheshin për njerëz që kishin një librezë partie, zakonisht, të atyre në pushtet ose familjarë të partive në pushtet.
Dhe, të paktën 60 zyrtarë të lartë në institucione e ndërmarrje publike nga 4 shkurti e deri me 3 qershor, janë larguar nga puna.
Bordi i parë që u shkarkua, ishte ai i Telekomit, që ishte i zhytur në trendin e rënies së të hyrave, me dhjetëra herë publikisht të deklaruar si në prag të falimentimit dhe burim të skandaleve të punësimeve nepotike.
Drejtorët e shkarkuar të Bordit të Telekomit janë: Besa Shatri, Skender Hoti, Sead Ujkani, Suzana Andjelkoviq dhe Shkëlzen Ibrahimi.
Pasuan bordet e INFRAKOS-it, Trepçës, Postës së Kosovës, SHSKU-së, Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, bordi i KEK-ut, Bordi i Ibër Lepencit, bordi i “Hidroregjionit Jugor” dhe bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.
Nga INFRAKOS-i u shkarkuan, Enver Aruqaj, Lundrim Camaj, Enis Berisha, Shkëlqim Osmanaj, Nagip Naseri e Arben Dodaj; nga Trepça u shkarkuan: Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuhiu, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla e Naser Peci; nga KEK-u u shkarkuan: Faruk Hajrizi, Gjelosh Vataj, Mehdi Pllashniku, Izet Ibrahimi, Fllanza Beqiri e Ilir Rama; nga “Hidroregjioni Jugor” u shkarkuan: Rexhep Manxhuka, Ridvan Hoxha, Ylber Kuçi, Reshit Makica, Ramadan Abazi e Alban Zulfaj; nga SHSKUK-ja u shkarkuan: Naser Ramadani, Fatmir Dragidella, Mirdita Hajdari, Ardian Ferizi, Enver Gashi; nga Ibër Lepenci u shkarkuan: Bashkim Shabani, Liridon Zogjani, Halil Gashi, Avdullah Isufi, Sahit Svirca e Muharrem Xhemajli; nga Posta e Kosovës u shkarkuan: Halit Isufi, Hysen Fazliu, Rushan Ceka, Zelfija Pllana, Nuhi Provoliu e Ylber Zabergja; nga KRU “Prishtina” u shkarkuan Betim Berisha, Amir Gashi, Bajram Jashari, Albetron Sahiti, Sejdë Tolaj e Ilir Rexhepi; nga KRU “Gjakova” u shkarkuan: Fatos Koshi, Isuf Asllani, Shpat Mejzini, Xhevdet Morina e Zeqir Fetoshi.
Në muajin prill u bënë ndryshime edhe në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.
Në vend të Shyqeri Musliut, u emërua Fikrie Buzuku Fejzan.
Qeveria Kurti emëroi borde të përkohshme nëpër ndërmarrjet që u prekën ndryshimet.
Megjithatë, disa nga emrat e anëtarëve rezultuan se ishin të lidhura me Vetëvendosjen e LDK-në.
Shembull, në atë të SHSKUK-së u evidentua emri i Mirsad Shkretës.
Shkreta ishte ish-kandidat i kësaj Lëvizjes Vetëvendosje për deputet dhe anëtar i këshillit të përgjithshëm të kësaj partie.
Bordi i ri i SHSKUK-së ka këtë përbërje: Dr. Agreta Gecaj – Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës;
Dr. Aida Rexhepi – Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës; Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike; Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë.
Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore: Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor; Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë; Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik. Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së.
Dhe nuk ishte i vetmi.
Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, për kryesues ishte vendosur Mentor Hyseni, e i njëjti, ishte anëtar i Vetëvendosjes dhe kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit të parakohshme.
Edhe në Infrakos, pas shkarkimit të bordit të vjetër, në mesin e të emëruarve në bordin e përkohshëm ishte edhe një emër nga Vetëvendosje..
Artan Dërmaku ishte i anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje së voni, e gjithashtu edhe emri poshtë tij, ai i Avdullah Lalës doli se ishte i lidhur me Vetëvendosjen.
Bordi i Përkohshëm “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos” Sh.A.: Enis Berisha- kryesues, Vjollca Jashari – drejtore, Artan Dermaku – drejtor, Abdullah Lala – drejtor.
Një tjetër zhvillim interesant lidhej me ndërmarrjen e Telekomit.
Aty, qeveria shkarkoi dy anëtarë të bordit të përkohshëm, për të cilët tani ish-Ministrja Rozeta Hajdari, tha të kenë qenë propozime të Avdullah Hoti, atëherë ish-zëvendëkryeminsitër i parë.
Të dy anëtarët e shkarkuar refuzuan që të votonin shkarkimin e kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi dhe drejtorit financiar në këtë ndërmarrje, Armend Osaj.
Dhe dy anëtarët që i pasuan nuk e patën problem shkarkimin e tyre, megjithëse një gjë e tillë nuk ishte e lehtë dhe pati rezistencë.
Bedri Istrefi nuk ishte viktima e vetme e bordeve të përkohshme.
Nga këto pozita u shkarkuan edhe homologu i Istrefit nga Posta e Kosovës, Shefqet Avdiu, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nijazi Thaqi e kryeshefi i Infrakosit, Agron Thaçi, e kryeshefi i Trepcës, Basri Ibrahimi.
Qeveria, që në javët e para kishte marrë vendim që të shfuqizojë një vendim tjetër të rëndësishëm.
Pozitat që ishin shpikur në qeverinë paraprake, atë Haradinaj, ato të Koordinatorëve nacionalë, të barasvlefshme me ato të ministrave, u shuan, si. Besnik Tahiri – Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore, Mendim Rugova – Koordinator Nacional për Çështje të Ambientit, Rexhep Hoti – Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport,
Fatos Makolli – Koordinator Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, Burim Ramadani – Koordinator Nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO, Arbër Taraku – Udhëheqës i Projektit për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve Endacakë.
Riorganizimi dhe shkurtimi i numrit të Ministrive kishte lënë në listën e tepricës disa sekretarë ministrish, por pati edhe të atillë që u shkarkuan krejtësisht, siç ishte rasti me Kushtrim Cukajn nga Ministria e Integrimeve Evropiane.
Ndër të tjera, në shkarkime që ishin bërë gjatë qeverisë Kurti, bien në sy edhe emrat si ai i drejtorit të Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, të Aviacionit Civil, Eset Berisha, e Rrahim Ramës, kryeshef i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditorit ndër vite, ishin ndër faktorët determinues që kishin çuar në shkarkime në disa prej ndërmarrjeve.
Megjithatë, baza ligjore e vendimeve nuk është lënë pa u kontestuar nga të larguarit dhe nisën kundërpërgjigjet.
Shembull, disa borde vendosën që kolektivisht të ushtrojnë padi ndaj vendimeve të qeverisë, si p.sh. ai i Postës së Kosovës.
Ose rastet e fundit, ai i Bedri Istrefit, ish-kryeshefi i Telekomit dhe dhe Shefqet Avdijajt, kryeshefi i Postës së Kosovës, dhe kryeshefit të KEK-ut, Njazi Thaqi, që iu drejtuan Inspektoratit të Punës.
Që të tre, pas ankesave në Inspektoratin e Punës, në shkallën e parë kanë marrë vendime në favor të tyre.
Vendimet që i kishin marrë bordet e përkohshme për shkarkimin e tyre, shkalla e parë në Inspektorat konstatoi se ishin të jashtëligjshme.
Të njëjtat mund të kundërshtohen nga ndërmarrjet publike, që në rast mos-zbatimi të vendimeve të Inspektoratit, shkojnë në shkallë të dytë, para se eventualisht të përfundojnë në gjykatë.