Gallup: 52 për qind e qytetarëve në Kosovë frikësohen nga infektimi me COVID-19

Sipas një studimi të fundit të bërë nga Asociacioni Gallup, rreth frikës nga virusi COVID-19, thuhet se frika nga ky virus është më e theksuar te shtetet aziatike, ndërkaq më pak është evidente në vendet e Evropës.

Sipas këtij studimi në Kosovë 52% e qytetarëve kanë frikë se ata ose një anëtar i familjes së tyre mund të infektohet me coronavirus.

Ndërkaq, 89% e popullatës së Kosovës pajtohet me deklaratën se Qeveria Kurti e ka menaxhuar mirë situatën gjatë pandemisë.

Reklama e sponzorizuar

“Studimi i fundit i Asociacionit të Gallup International në botë, ku Kosova merr pjesë përmes Kantar Index Kosova, nxjerr në pah ngjashmëri të efektit të pandemisë aktuale tek vende të ndryshme, pavarësisht nga përhapja e virusit apo dallimet në menaxhim të situatës.

Në përgjithësi, rreth 75% e popullatës së shteteve pjesëmarrëse në studim shfaqin frikë se ata ose dikush nga familja e tyre mund të infektohet me Coronavirus. Frika është më e theksuar tek shtetet aziatike, ku prijnë Indonezia (93%), Republika e Koresë (90%) dhe Filipinet (89%), përderisa kjo frikë është më pak evidente në Evropë.

Në Kosovë, më shumë se gjysma e popullatës (52%) pajtohet se kanë frikë që ata ose ndonjë anëtar i familjes së tyre mund të infektohet me Coronavirus, përderisa 89% e popullatës së Kosovës pajtohet me deklaratën se Qeveria Kurti e ka menaxhuar mirë situatën gjatë pandemisë.

Në anën tjetër, pavarësisht se Korea ishte shembull i menaxhimit të situatës përmes testimit, ndërsa menaxhimi i situatës në Indonezi shpesh është interpretuar nga mediat si militarizim, përqindje e njëjtë e banorëve të këtyre dy vendeve (Indonezi 76% dhe Kore 75%) pajtohen me deklaratën se qeveritë e tyre janë duke menaxhuar mirë situatën e pandemisë”, thuhet në njoftimin e Gallup.

Gallup thekson se në përgjithësi në botë duket se është ngjallur një ndjenjë e solidaritetit dhe e vetë-sakrificës sa i përket çështjeve që ndërlidhen me mos përhapje të mëtutjeshme të pandemisë. Përpos në Japoni (40%), mbi 80% e popullatës në botë deklarojnë se janë të gatshëm t’i sakrifikojnë disa nga të drejtat e njeriut nëse kjo e ndihmon parandalimin e përhapjes së virusit.

“Me këtë deklaratë pajtohen edhe 80% e popullatës së Kosovës, edhe pse një e treta e popullatës raportojnë se tani më janë dëmtuar në një formë ose tjetër nga pasojat e pandemisë. Rreth 20% e popullatës së Kosovës konsideron se ka humbur shumicën e të ardhurave dhe 27% deklarojnë e kanë humbur një pjesë të të ardhurave të tyre. Deri më 1 qershor, 7% e të punësuarve kanë humbur punën përderisa po aq janë kthyer në punë me gjysmë orari.

E në fund, ka shumë dilema se si do të duket bota pas kësaj pandemie. Përderisa 41% e popullatës së botës besojnë se bota do t’i kthehet pak a shumë gjendjes në të cilën ka qenë para pandemisë, pak më shumë (46%) besojnë se pandemia sjell ndryshime të mëdha dhe një botë krejtësisht të re.

Në Kosovë, më tepër se gjysma e popullatës (54%) konsiderojnë se do të ketë ndryshime të mëdha dhe një botë krejtësisht të re, përderisa pak më shumë se një e katërta (27%) konsiderojnë se bota do t’i kthehet pak a shumë gjendjes që ka qenë.

Në Japoni, meqë pandemia nuk ka sjellë asnjë ndryshim në stilin e tyre të jetesës (maskat, dezinfektuesit e duarve e masat tjera mbrojtëse kanë qenë pjesë e rutinës së tyre ditore edhe para pandemisë), përqindja e tyre që nuk e dinë se si do të duket bota pas pandemisë është dukshëm më e lartë (40%)”, thuhet më tej në njoftimin e Gallup .