Gashi: Qeveria Hoti e varur nga Lista Serbe, s’do t’i pengojë zgjedhjet e Serbisë në Kosovë

Shpëtim Gashi, nga Qendra për Qeverisje Gjithëpërfshirëse në New York, në një deklaratë për KOHËN tha se zgjedhjet e Serbisë, ashtu si vitet e kaluara, do të organizohen edhe në Kosovë, rrjedhimisht, vendvotimet do të jenë nëpër institucione publike.

Sipas Gashit, Qeveria Hoti është e varur nga Lista Serbe, votat të cilat ia siguroi Vuçiqi dhe votat që ia siguroi presidenti Thaçi, dhe kësisoj nuk guxon të ndërmarrë asnjë veprim që do ta hidhëronte presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq e as atë të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Zgjedhjet parlamentare të Serbisë do të mbahen në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Ashtu si herëve tjera, vendvotimet do të jenë në institucione publike, kryesisht në shkolla. Duke pasur dyshtetësinë, serbët e Kosovës kanë të drejtë votimi në zgjedhjet serbe por vetëm me postë, sipas normave zgjedhore që aplikohen edhe në vende tjera. Por këtu ka një problem: edhe po të donin qytetarët serbë të votonin me postë nuk do të kishin mundësi sepse postat e Kosovës dhe Serbisë nuk bashkëpunojnë, dhe mundësia e vetme mbeten vendvotimet fizike”, tha Gashi për KOHËN.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, pengesa për të votuar do të përbënte mohim të së drejtës për votim pa fajin a qytetarëve serbë, por në të njëjtën kohë, thotë Gashi, edhe shkelje të juridiksionit të Kosovës nga Serbia.

“Rrjedhimisht, qeveria Hoti ka mbështetje ligjore për ndalimin e përdorimit të institucioneve publike për vendvotime, mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Qeveria Hoti është e varur nga votat e siguruara nga Presidenti Serb Vuçiq përmes Listës Serbe dhe nga votat e siguruara nga Presidenti Thaçi”, thotë Gashi tutje.

Sipas Gashit, nënkryetar i Këshillit për qeverisje inkluzive, “kryeministri Hoti nuk guxon të ndërmarr asnjë veprim i cili do ta hidhëronte njërin president apo tjetrin”.

“E mos të flasim për të dërguarin Richard Grenell, të cilin z. Hoti nuk guxon ta zemërojë në asnjë mënyrë. Thaçi dhe Grenelli nuk do të lejojnë që të ndodhin veprime që mund ta zemërojnë Presidentin Vuçiq gjatë kohës sa ata janë të përfshirë në një iniciativë gjysmë-sekrete për arritjen e një marrëveshje ku do të përfitonin diçka secili nga tre akterët kryesorë, Vuçiq, Thaçi, dhe Grenell”, tha Gashi.

Dje KOHA ka raportuar se zgjedhjet e Serbisë janë të mundshme të organizohet këtë vit edhe në Kosovës ashtu si zgjedhjet e kaluara, porse nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, nuk kanë kthyer përgjigje se si do të veprohet.

Misioni i OSBE-së, që i pati mbikëqyrur këto zgjedhje, në një përgjigje për KOHËN, ka konfirmuar se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, por ende nuk kanë vendosur se si do të bëhet organizimi i këtyre zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.

Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.