Gastronomët rrisin çmimet në Kosovë, paralajmëron Autoriteti i Konkurrencës

Drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka thënë se institucioni që ai udhëheq nuk do t’i lejojë sektorit të gastronomisë që të ngrejnë çmimet e produkteve në mënyrë të bashkërenduar mes bizneseve, pas goditjes që kanë pësuar gjatë pandemisë. Prestreshi ka thënë se këto biznese duhet të zhvillohen përmes garës së drejtë e duke konkurruar me njëri-tjetrin me cilësi.

Janë bërë thuajse 3 muaj që kur gastronomia në Kosovë është mbyllur krejtësisht për shkak të pandemisë.

E që nga e hëna janë hapur shumica e lokaleve dhe kafeteritë, duke iu përmbajtur rregullave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo çmimi i makiatos siç duket nuk do të jetë njësoj.

Ky fenomen i rritjes nuk do të vërehet vetëm në qytete të mëdha të Kosovës por edhe në fshatra e qytete me popullsi më të vogël.

Për këtë çështje ka reaguar drejtori i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi,  duke  thënë se institucioni që ai udhëheq nuk do t’i lejojë sektorit të gastronomisë që të ngritë çmimet e produkteve në mënyrë të bashkërenduar mes bizneseve, pas goditjes që kanë pësuar gjatë pandemisë.

Në një postim në Facebook, Prestreshi ka thënë se këto biznese duhet të zhvillohen përmes garës fer e duke konkurruar me njëri-tjetrin me cilësi.

“Pajtohem plotësisht me Odën Amerikane në Kosovë, se gastronomia është tregu më i godituri nga pandemia. Nga goditja e këtij tregu, është goditur një varg i gjatë i hallkave zinxhir që ndërlidhen me tregun e gastronomisë. Dhe ndihma e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij tregu duhet të jetë i dukshëm. Por, në asnjë rast, nuk do t’u lejohet këtyre gastronomeve që në mënyrë të bashkërenduar të bëjnë kartele klasike duke ngritur çmimet e produkteve të tyre. Autoriteti është i pakompromis! Biznesi të zhvillohet me garë të drejtë, duke i konkurruar njëri-tjetrit me cilësi, çmime dhe produkte inovative”, ka shkruar ai.

Ditë më parë drejtues së Shoqatës së Gastronomëve kanë thënë se bizneset e sektorit të gastronomisë kanë pësuar rënie prej 100% të të ardhurave.

“Duke e marrë parasysh që është ndalur 100 për qind qarkullimi kjo tregon që është një dëm shumë i madh për këtë sektor, po ashtu edhe për punëtorët. Sot është publikuar një hulumtim nga Instituti për Ekonomi dhe Tregti të Lirë dhe kemi parë që 75.6 për qind e bizneseve kanë deklaruar se nëse nuk kemi ndihma nga shteti këto biznese falimentojnë. Po ashtu, 56 për qind kanë deklaruar që kanë larguar disa punëtorë nga puna”.

Sipas tyre shteti duhet të vazhdojë të ndihmojë sektorin e gastronomisë në mënyrë që të mos falimentojnë.

“Ndihma nga shteti duhet të vazhdojnë, ndoshta deri në fundvit pasi deri në gjetjen e vaksinës nuk shohim që do të ketë ndonjë përmirësim. Paga ne mendojmë se duhet të rritet nga 170 euro, për arsye se ajo ka një efekt pozitiv edhe në konsumin tonë të brendshëm, minimumi të bëhet në 300 euro, 50 për qind e qirave të subvencionohet nga shteti për arsye se është e pamundur edhe të vazhdohet kjo punë.”.

Kafiteritë që nga 18 Maji janë hapur për shërbim ‘merre me vete’, e nga 1 qershori janë hapur me masa të kufizuara, me më pak tavolina. Ato do të punojnë deri në ora 21:00 kur është edhe orari i lëvizjes. Ndërkohë për klubet e natës dhe sallat e dasmave nuk ka ende një vendim për hapje.

Mbyllja e detyrueshme e bizneseve dhe kufizimi i aktiviteteve ekonomike për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ka bërë që shumë të punësuar të pezullohen nga puna. Një hulumtim i organizatave ekonomike në Kosovë pati vënë në pah se 30 për qind e ndërmarrjeve të anketuara janë deklaruar se kanë zvogëluar numrin e të punësuarve.