I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell përmes Twitterit ka konfirmuar se më 27 qershor do të ketë diskutime për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se i është premtuar ndalja e fushatës së mosnjohjes.
“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, ka shkruar Grenell.
Ai tutje ka shtuar se nëse ndonjëra palë është e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit atëherë do t’i kthehen “status quo-së” pasi të largohen nga Washingtoni.
“Siç e kemi thënë në vazhdimësi, së pari duhet të bëjmë progres në rritjen ekonomike. Ky është fokusi. Shikoj përpara për këto bisedime”, ka shkruar Grenell.