Heldti i kërkon Hotit qeveri pa nepotizëm e korrupsion dhe me standarde të Qeverisë Kurti

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt thotë se presin nga qeveria e re me kryeministër Avdullah Hotin që të vendosë standarde në qeverisje, me transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit.

Këto standarde, sipas Heldtit, janë vendosur nga qeveria paraprake, pjesë e së cilës ishte edhe LDK-ja.

“Kosova ka një qeveri të re, të votuar nga shumica e nevojshme e 61 parlamentarëve të zgjedhur. Qeveria e mëparshme me pjesëmarrjen e LDK-së ka vendosur standarde në qeverisje, transparencë dhe luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Këto tani janë standardet të cilat ne presim të fillohen”, ka shkruar Heldti në Twitter.

Reklama e sponzorizuar

Heldti, më vonë ka shtuar se Kosova përballet me sfida të jashtëzakonshme dhe pasojat e pandemisë së koronavirusit.

“Ne do të jemi aty bashkëbisedues për Avdullah Hotin dhe qeverinë e tij për punë serioze në agjendë serioze: dialogu i udhëhequr nga BE-ja, jo korrupsion, sundim i ligjit, pa nepotizëm, qeverisje e standardeve të përcaktuara. Për Kosovën dhe njerëzit e saj”, thotë tutje Heldti.