Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, po merr pjesë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku prezantoi platformën e Qeverisë së Kosovës për dialogun.
“Kornizë dialoguese që e kemi adoptuar brenda koalicionit dhe e kemi njoftuar opozitën. Atë qe duhet ta kenë të qartë të gjithë, shpallja e pavarësisë është proces i përhershëm për të cilin nuk mund të negocioj askush. Ka pas situata kur liderët nuk kanë qenë të qartë rreth këtij procesi, janë bërë flluska që nuk janë shkrirë, ndoshta për qëllim të mirë. Pikat e kornizës, jo platformë pasi duhet të negociohet me të gjithë”, tha Hoti, raporton KOHA.
Hoti theksoi se e ka ftuar edhe opozitën në dialogun me Serbinë.
“E kam ftuar opozitën, një pjesë nuk është përgjigjur e një pjesë ka ofruar bashkëpunim por jo konkret. Dialogun e udhëheqë kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoti.
Parimi i parë, sipas Hotit, është integriteti territorial i Kosovës që është i panegociueshëm.
“E dyta: Marrëveshja të sigurojë që organizimi kushtetues i Kosovës i panegociueshëm dhe tre; marrëveshja në frymën e kushtetutës”, tha Hoti.
Sipas Hotit, objektiv është njohja reciproke e përhershme, jo e modelit të dy Gjermanive që siguron ulëse në OKB dhe njohjen e pesë vendeve të BE-së.
“Të adresojmë të gjitha çështjet e hapura, te pagjeturit, dëmet e luftës”, tha Hoti.
Hoti gjithashtu ka theksuar se “Do të themelohet forumi me liderët politikë, të të gjitha partive politike, ndërkaq brenda zyrës së kryeministrit do të formohet Këshilli i ekspertëve, ku do të ketë gjithëpërfshirje”.
“Do të kërkojë nga Kuvendi të themelojë komision parlamentar për dialog të cilin duhet ta udhëheqë opozita. Gjithçka transparente që nuk bisedohet prapa dyerve të mbyllura”, u shpreh Hoti, raporton KOHA.
Ndërkohë, kryetari i ASHAK-ut Mehmet Kraja ka thënë se besimi i popullit shpesh është përdorur nga liderët në Kosovë.
“Nuk ka Ahtisaari plus as minus, se ndarja e Kosovës nuk mund të zëvendësohet si demarkacion, përkufizim, sikur që nuk mund të ketë Asociacion që e ndan Kosovën, edhe atëherë kur përmendet. Dhe, liderët jo rrallë kanë shpërdorur besimin e popullit”, ka thënë ai.
Sipas tij, liderëve nuk iu buron kjo e drejtë as nga Kushtetuta, as nga populli i Kosovës.
“Një pjesë e faktorit të jashtëm e ka keqpërdorë besimin e Kosovës për dialog. Faktori politik nuk duhet të jetë i ndarë, dikush që e dëshiron SHBA-në, e dikush BE-n. Për marrëveshjet e deritashme nuk ka pasur interesim duke iu krijuar terren atyre që duan ta keqpërdorin atë”, ka thënë ai.