Hoti: Lejuam mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë sipas praktikave të mëhershme

Kryeministri Avdullah Hoti, ka folur për zgjedhjet në Serbi. Ai ka thënë se e ka lejuar mbajtjen e të njëjtave zgjedhjeve që kanë ekzistuar që nga viti 2011.

Ai në një adresim para mediave pas vizitës në Komunën e Pejës ka thënë se lidhur me këto zgjedhje ka një aranzhim të institucioneve të vendit dhe partnerëve ndërkombëtar.

“Nga viti 2011 ka një aranzhim në mes të institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtar për organizimin e mbledhjes së votave në Kosovë. Unë kam lejuar mbajtjen e të njëjtave aranzhimeve që kanë ekzistuar në këtë lloj zgjedhje përmes OSBE-së”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq për takimin e 27 qershor në Uashington, ai ka thënë se fokusi do të jetë në bashkëpunimin ekonomik.

“Presim të rifillojmë procesin e dialogut, fokusi do të jetë në bashkëpunimin ekonomik. Tani bashkë me ministrin e Infrastrukturës jemi duke i zhvilluar idetë tona. Janë disa projekte që do ta kthejnë Kosovën në qendër të aktivitetit ekonomik”, ka thënë ai.

Ndërkaq për vizitën në Pejë ai ka thënë se është biseduar për bashkërendim të aktiviteteve.

“Kemi biseduar për bashkërendimin e aktiviteteve dhe për të ndarë opinioni tona se si do të jenë të përfshira komunat në fondin për rimëkëmbjen ekonomike që është pjesë e buxhetit. Pas kësaj do të vazhdojmë bashkë me ecje në Bjeshkët e Rugovës”, ka thënë ai.

Gazmend Muhaxheri ka thënë se kryeministrin e kanë njoftuat për gjendjen me pandeminë dhe gjendjen ekonomike në komunë.