Hoti për mbajtjen e dasmave: Më 1 korrik do të shohim a ka kushte

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se nuk është e sigurt se nga 1 korriku do të lejohen organizimet e dasmave dhe ahengjeve të ndryshme.

Hoti përmes një postimi në Facebook, ka pohuar se më 1 korrik, do të ketë takim mes përfaqësuesve të estradës që po kërkojnë lejimin e mbajtjes së ahengjeve dhe Komisionit Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj Covid-19 për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla.

“Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lejimin e dasmave dhe ahengjeve. Më datën 1 korrik, përfaqësuesit e estradës dhe hotelerisë do të takohen me Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj Covid-19 për të vlerësuar nëse ka kushte që të zhvillohen aktivitete të tilla. Të gjitha masat lehtësuese që janë ndërmarrë deri më tani, janë duke u monitoruar nga afër dhe po vlerësohen vazhdimisht nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Komisioni brenda Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Hoti.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka paralajmëruar se prioritet i Qeverisë që udhëheq do të jetë shëndeti i qytetarëve dhe se në rast të përkeqësimit të situatës, mund të merren masa për mbrojtje nga përhapja e virusit.