Italia po përballet me recesionin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave në Itali, ekonomia e këtij shteti do të tkurret për 8.3 për qind këtë vit si rezultat i krizës së shkaktuar nga koronavirusi.

Një nga shtetet e para që u godit nga pandemia, Italia vendosi masa të rrepta të izolimit për më shumë se dy muaj në përpjekje për ta kufizuar numrin e vdekjeve dhe infektimeve, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ky institute parashikoi që ekonomia më pas të shënojë rritje për 4.6 për qind vitin e ardhshëm. Megjithatë, disa institucione të tjera kanë frikë se rënia do të jetë më e madhe. Banka e Italisë ka parashikuar rënie të GDP-së mes 9.2 deri në 13.1 për qind, ndërsa Komisioni Evropian pret që kjo shifër të shënojë rënie për 9.5 për qind.

Reklama e sponzorizuar

Banka amerikane për investime, “Goldman Sachs”, ka parashikuar rënie edhe më të madhe – 14 për qind.

Italia deri më tani është vendi i katërt me më së shumti viktima të koronavirusit në botë me 36,455 raste fatale. Deri të dielën, në Itali janë shënuar 234,998 raste të infektimeve.