Drejtuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) të mërkurën kanë njoftuar se në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë kanë vijuar traditën e luajtjes së rolit konstruktiv në krijimin e institucioneve. Kësisoj, sipas tyre, është përkrahur krijimi i Qeverisë në kuadër të së cilës KDTP-ja do të përfaqësohet me një ministër dhe dy zëvendësministra.
“Qeveria e Kosovës, e krijuar me 61 vota në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në drejtimin e Avdullah Hotit, është përkrahur edhe nga deputetët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës. Në përputhje me nevojën për të krijuar një qeveri, e cila do të merret me përgatitjet dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për tejkalimin e sfidave socio-ekonomike që e presin Republikën e Kosovës, Partia Demokratike Turke e Kosovës, duke vazhduar traditën e luajtjes së rolit konstruktiv në krijimin e institucioneve si qendrore ashtu edhe atyre lokale, ka mbështetur krijimin e Qeverisë Hoti”, thuhet në komunikatën e KDTP-së.
Aty theksohet se në Qeverinë Hoti, KDTP-ja do të përfaqësohet me një ministër dhe dy zëvendësministra, me ç’rast është vendosur që Ministria e Zhvillimit Rajonal të drejtohet nga Enis Kervan. Në Qeverinë Kurti, Kervan ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Arsimit. Sipas KDTP-së, pas vendimmarrjes brenda partisë emrat e zëvendësministrave përkatës do t’i komunikohen kryeministrit Hoti dhe publikut.