Kina po e zgjeron pamëshirshëm fuqinë

Lugina e Galvanit në Himalaje shtrihet në lartësi mbidetare prej katër mijë metrash. Është një rajon i thellë ku pjerrinat janë përherë të mbuluara nga dëbora. Por, javën e kaluar ky rajon ia doli të rrokte vëmendjen e botës mbarë. Kina dhe India – dy shtetet më të populluara në botë – u përplasën në kufirin e tyre himalajan. Ende nuk dihet me saktësi se ku mbaron kufiri i njërës e ku nis i tjetrës. Dhe, në thelb, dy shtetet luftuan më 1962 për shkak të këtij kufiri.

Dhe derisa dy shtetet me armë bërthamore po përplaseshin, së paku 20 ushtarë indianë mbetën të vrarë në natën e 15 qershorit. Ka pasur raportime edhe për vdekje në radhët e ushtrisë kineze.

Azia po vlon

Reklama e sponzorizuar

Për herë të parë pas pothuajse gjysmë shekulli, rivaliteti ndërmjet dy shteteve fqinje ka marrë jetë njerëzish. Dy qeveritë duket se janë të vetëdijshme se mund të bëhen shkaktare të një lufte botërore. Ushtarët mund të jenë rrahur ndërmjet vete me shkopinj e gurë deri në vdekje. Është raportuar se gjatë përleshjeve disa prej ushtarëve kanë rënë në një humnerë të madhe.

Incidenti ka treguar menjëherë se sa shpejt se situata në Azi mund të përshkallëzohet dhe se si një luftë e ftohtë mund të kthehet në luftë të vërtetë në çdo moment, pavarësisht prej shkallës së lartë të kujdesit.

Në Luginën Galvan, pretendimet dhe interesat përplasen. Në njërën anë është Republika Popullore e Kinës, e cila po zgjeron fuqinë e saj në rajon. Në fund të prillit, përderisa India ishte e zënë me krizën e përkeqësuar të virusit korona, ushtria kineze thuhet se kishte lëvizur trupat në drejtim të kufirit dhe shkeli hise të mëdha të territorit indian. Së paku kështu deklaroi qeveria indiane në kryeqytet.

Në anën tjetër, ka shtete si India që nuk dëshirojnë të përplasen me ekspansionizmin e Kinës.

Nuk janë tensionuar vetëm raportet indiano-kineze. Rezistenca kundër Kinës është në ngritje në shumë pjesë të botës. Konfliktet shpesh zhvillohen hapur si në rastin e Indisë, por më të shumta janë ato tinëzare.

“Çfarë po shohim tani është vetëm fillimi i një përplasjeje botërore”, ka deklaruar gjeostrategu indian, Brahma Chellaney.

Prishja e baraspeshës

Fuqia në ngritje e Pekinit po çon drejt një ndërrimi qenësor të baraspeshës botërore të fuqisë, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke shtuar se në të ardhmen aleanca ushtarake perëndimore duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me “mendësi të ngjashme”, si Japonia, Australia, Zelanda e Re dhe Koreja Jugore. NATO-ja “duhet të mbrojë një botë të ndërtuar mbi lirinë dhe demokracinë, e jo mbi provokime dhe shantazhe”. Stoltenbergu nuk e ka përmendur Kinën me emër. Por të gjithë e morën vesh se për kë e kishte fjalën.

Në zemër të luftës globale për fuqi janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina, një superfuqi e vjetër dhe një superfuqi e re. Dhe beteja e tyre e madhe ka ndikuar edhe në luftën për të zbuluar e para vaksinën kundër koronavirusit.

Prej se Richard Nixoni ishte president në vitet shtatëdhjetë, Uashingtoni ka ndjekur një politikë të përafrimit me Kinën. Shtetety e Bashkuara synonin të integronin perandorinë e dikurshme të varfër në sistemin ndërkombëtar me shpresë se Kina do të lidhej në aleancë me Perëndimin. Në terme ekonomike, kjo formulë njihej si “ndryshim nëpërmjet tregtisë”. Dhe secili president pasues kishte ndjekur pak a shumë këtë qasje – derisa në krye erdhi presidenti Donald Trump.

Ndryshimi erdhi me Trumpin

Më 2018, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence mbajti një fjalim në Institutin Hudson në Uashington, ku u bë e qartë se po shënohej një shmangie prej kësaj politike tradicionale. Ai akuzoi Kinën për ekspansionizëm, paskrupulli dhe shfaqje të fuqisë. “Ne nuk do të lejojmë të shkelemi dhe nuk do të rrimë duarkryq”, tha ai. Shtëpia e Bardhë tashmë ka ashpërsuar gjuhën dhe flet për përpjekje të Kinës për të shtrirë ndikimin aty ku cenohen interesat amerikane.