Zhvillimet e fundit në vend ku Prokuroria Speciale dorëzoi aktakuzë ndaj Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe të dyshuarve të tjerë, rezultuan që Kryeministri i vendit Avdullah Hoti të anulojë pjesëmarrjen e tij në takimin e Washingtonit.
Hoti bashkë me Thaçin të shtunën do të merrte pjesë në Shtëpinë e Bardhë pas ftesës nga Emisari special për dialogun, Richard Grenell për një diskutim me palën serbe.
Por ndonëse anuloi pjesëmarrjen në Shtëpinë e Bardhë, i pari i Qeverisë, nuk ka marrë vendim të tillë edhe për takimet që do të zhvillojë sot në Bruksel.
”Të gjitha takimet mbahen”, është shprehur shkurt në një përgjigjie për Klan Kosovën Ardita Dushi, shefe e Kabinetit për Kryeministrin Hoti.
Hoti në agjendën e tij ka të paraparë të takohet me Kryetaren e Komisionit Europian Ursula von de Leyen, Kryetarin e Këshillit të Europës, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian dhe Nënkryetarin e EPP, David McAllister.
Në këto takime Kryeministri Avdullah Hoti tregoi ditë më parë edhe temat të cilat do të diskutojnë me zyrtarët europianë.
”Do të bisedojmë për: (1) hapat që kemi ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, (2) për mbështetjen nga ana e KE për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe (3) për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, proces i cili ka ngecur jo për shkak të mos përmbushjes së standardeve nga ana e jonë”, pati thënë ai, njofton Klan Kosova.
Megjithatë nuk është bërë e ditur ende nëse në takim do të ketë përfaqësues të palës serbe apo jo.