Përfaqësuesi Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka caktuar 27 qershorin si datë kur do të pres në Washington delegacionet nga Kosova dhe Serbia për të rinisur procesin e negociatave.
Për t’u mbajtur ky takim Kosovës i është dashur që të pajtohet për pezullimin e fushatës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, derisa Serbia për ndaljen e fushatës kundër pavarësisë.
Lidhur me këtë takim në Shtëpinë e Bardhë dhe rreth delegacionit që do ta përfaqësojë Kosovën në Amerikë, ka folur sot kreu i Qeverisë.
Hoti ka thënë se ende nuk kanë detajet përfundimtare rreth agjendës së këtij takimi në Washington që do t’iu mundësonte edhe përcaktimin e delegacionit, por thotë se pavarësisht asaj se kush do të marrë pjesë në takim, Hoti thotë se si kryeministër do të jetë përgjegjës për procesin që do të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne po presim gjatë këtyre ditëve që të qartësojmë agjendën e takimit në Washington. Mbi bazën e asaj do të qartësohet edhe delegacioni që e përfaqëson Kosovën. Por mos të kemi kurrfarë lloj dyshimi. Kushdo që është në atë delegacion për çështjet e dialogut përgjegjëse është qeveria dhe kryeministri i vendit”, ka thënë kryeministri Hoti.
Në këtë fjalim Hoti ka thënë se ka marrë garancinë e partnerëve ndërkombëtarë se në Washington nuk e pret një marrëveshje e gatshme, dhe thotë se do të jetë e vështirë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare brenda vetëm një takimi duke marrë parasysh kompleksitetin e problemit.
Hoti ka thënë se do të ishte sukses nëse në këtë takim në Washington do të pajtoheshin për parimet e dialogut.