Kuçi shkarkon Buzuku-Fejzën, ajo e akuzon për presion ndaj ndërmarrjeve publike

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, ka shkarkuar udhëheqësen e Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Në vendimin e 25 qershorit, thuhet se Fikrie Buzuku-Fejza ka refuzuar të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e saj si udhëheqëse e kësaj njësie, duke i pamundësuar Qeverisë ushtrimin e përgjegjësive ligjore në raport me ndërmarrjet publike.

Tutje thuhet se Buzuku-Fejza ka rënë ndesh me politikat e ministrit, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Një vendim i tillë erdhi vetëm një ditë pasi Fikrie Buzuku-Fejza kishte refuzuar që ndërmarrjeve publike t’u rekomandojë të ndërpresin konkurset që kanë shpallur.

KOHA ka siguruar letrën që Buzuku-Fejza i ka shkruar ministrit Kuçi lidhur me shkarkimin e saj.

“Me këtë akt të kequdhëzuar e të paligjshëm, kabineti juaj po hakmerret ndaj meje pse nuk kam pranuar t’u ndërhyj drejtorëve të ndërmarrjeve në punët që ata duhet t’i kryejnë të pavarur”, thuhet në letrën e udhëheqëses së njësisë.

Tutje, ajo ka shtuar se rekomandimet për mosshpallje të konkurseve janë ndërhyrje direkte në pavarësinë e bordeve dhe shkelje e Ligjit për ndërmarrjet publike.

Po ashtu, Buzuku-Fejza ka akuzuar ministrin Blerim Kuçi se dëshiron të zëvendësojë sa më shpejt bordin e përkohshëm.

“Jam dëshmitare se ju keni deklaruar në prezencën time se mezi prisni t’i shkarkoni menjëherë bordet e NP-ve, në rast se nuk përfillin rekomandimet tuaja për pezullimin e konkurseve (dhe se kryeministri Hoti ju ka kërkuar shkarkimin, por dëshironi të punoni me kujdes, për të mos dalë keq para ndërkombëtarëve)”, thuhet në letër.

Ajo thotë se presioni mbi bordet e NP-ve tashmë veç ka filluar.

“Me kërkesën dhe nën presionin e kabinetit tuaj, NJPMNP tashmë u është drejtuar bordeve të përkohshme të disa ndërmarrjeve me rekomandim për të pezulluar konkurset për zyrtarë të lartë. Pasi që bordet kanë shpërfillur me të drejtë rekomandimin, kabineti juaj ka kërkuar prej meje që t’u dërgoj edhe bordeve të NP-ve të tjera shkresë të re për mos-hapje të konkurseve, këtë radhë duke i paralajmëruar për shkelje të mundshme të politikave të aksionarit”, vazhdohet aty.

Fikrie Buzuku-Fezja ishte emëruar si ushtruese e detyrës së udhëheqëses së njësisë për monitorimin e ndërmarrjeve publike gjatë kohës sa ministria e Ekonomisë udhëhiqej nga Rozeta Hajdari, derisa është kontestuar edhe ligjshmëria e vendimit që e ka mundësuar një gjë të tillë.