Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, ka thënë se e kundërshton secilën marrëveshje që përfshin territorin e vendit.
Sipas saj, vizita e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçakut dhe takimi më 27 qershor në Washington e prezantojnë Kosovën shumë të dobët.
Ajo thotë se është një proces amerikan dhe evropian porse mungon ai kosovar.
“Do të kemi shumë vështirësi të arrijmë çfarëdo konsensusi. Edhe Hoti edhe Mustafa kërkonin që të bashkohen partitë opozitare, por nuk munden të bashkohen kur pikërisht për këtë temë kur ata e shfrytëzuan situatën në kohë pandemie”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se duhet të gjendet një format i cili ka strukturë të brendshme.
Kusari-Lila thotë se presidentit të SHBA-së, Donald Trump i duhet dialogu në mënyrë që ta prezantojë në fushatën e tij.
“Vërejmë deklarata të Grenellit në raport me marrëveshjen e 27 qershorit për të cilin deklaronte që do të jetë me bazë në ekonomi. Unë i besoj sepse nuk do të ketë marrëveshje më të madhe. Megjithatë të thuhet se ky takim do t’i heshtë të gjithë zërat dyshues, atëherë është të marrësh përsipër gjera që nuk të përkasin”, ka thënë ajo.
Sipas saj, çka do që të ndodhë më 27 qershor nuk do të jetë finale, por do të tentojë të blej kohë.
Ajo thotë se kjo qeveri ka hequr dorë nga të drejtat e saja si shtet.
“Edhe sikur të kemi një marrëveshje për Kosovën mund ti shërbejë atij për fushatën zgjedhore por jo edhe Kosovës. Ai do ta shfrytëzojë këtë për të thënë se demokratet nuk arritën ta bënin për 20 vjet e tani po e bënë ai”, ka thënë ajo.
Ndërkaq për programin e Qeverisë Hoti, ajo ka thënë se ka mungesë totale të vizionit. Ajo thotë se këto pikat në planin e Hotit janë retorikë boshe. Sipas saj asnjë pikë e Hotit nuk përmendet ekonomia qarkore, duke shtuar se shkarazi flet për teknologjinë informative.
“Unë nuk e pres jetëgjatësinë e kësaj qeverie të realizojë diçka. Tani do të fillojë konflikti kur fillon votimi i projekteve”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila e konsideron ofendim për qytetarët emërimin e Zemajt ministër të Shëndetësisë
Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se emërimi i Armend Zemajt në pozitën e ministrit të Shëndetësisë, është qasje joserioze dhe ofendim i LDK-së për qytetarët e Kosovës.
Sipas saj, LDK-ja me emërimin e një juristi në këtë pozitë, në kohë pandemie, ka ofenduar qytetarët dhe ka treguar “tendencë vetëm që të vihet në pushtet”.
“Numri i rasteve që po rritet nuk po merret seriozisht. Kemi një situatë në të cilën qytetarët janë tërhequr nga numri i madh i masave mbrojtëse. Po vërehet se ka edhe pak kontroll. Ka ndryshim drastik mes asaj që ka bërë ish-ministri Arben Vitia dhe komunikimin e tij dhe Zemajt që është munduar të gjejë arsye e shkaqe e s’ka pas seriozitet për rrethanat”, ka deklaruar ajo. “Duhet të ketë person që e kupton seriozitetin e situatës. Në fund nëse je në pozitë të tillë, s’je vetëm i partisë që të ka deleguar, por i gjithë qytetarëve. Sjelljen e Zemajt e konsideroj joserioze. Vetë emërimi i tij pa bagazh në sektorin e shëndetësisë ka qenë joserioze, dhe gati se ofendim për qytetarët, nga ana e LDK-së. Është jurist, ka bagazh në punët parlamentare, është përfolur si i nominuar për Bujqësi e në fund doli ministër i Shëndetësisë. Kjo tregon mungesën e seriozitetit për trajtimin e pozitave qeveritare. Ka pas tendencë vetëm që të vihet te pushteti. Të tjerat janë subjekt i pazarit. Ndodhi mu në mes të pandemisë”.
Kusari-Lila ka thënë po ashtu se Qeveria Hoti në programin për menaxhimin e pandemisë si pikë të dytë ka imunizimin kolektiv. Këtë ajo e konsideron të gabuar, duke e ndërlidhur me Suedinë “si shembull që s’ka qenë i suksesshëm”.
Komisioni hetimor për menaxhimin e situatës me pandeminë me fokus në dy qeveri
Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se duke parë situatën e fundit të koronavirusit në Kosovë, komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e situatës me pandeminë do të ketë fokus jo vetëm në ish-qeverinë Kurti, por edhe në atë Hoti.
Në Interaktiv ajo ka thënë se ky komision hetimor ka mandatin për të bërë vlerësimin e tri proceseve.
“Është iniciativë e PDK-së. Partia që inicion kërkesën nuk mund ta udhëheqë dhe i takon partisë tjetër opozitare. Ka mandat të bëjë vlerësimin e tri proceseve, me menaxhimin e situatës shëndetësore, përfshirë furnizimin, e dyta ka të bëjë me zonën karantinë dhe menaxhimin e saj dhe e treta me pakon e rimëkëmbjes ekonomike. Duke qenë se për momentin jemi në mes të krizës, të paktën ashtu duket, pati dakordim që puna e komisionit të mos ketë fokus vetëm mandatin e Qeverisë Kurti, por edhe të udhëheqjes aktuale”, ka thënë ajo.
Sipas saj, aty janë vënë re edhe deklarime politike, por ka thënë se pret që në fund të ketë raport me publikim të fakteve e jo të deklaratave politike.
“Komisioni ka afat gjashtë muaj që të dorëzojë raportin në kryesi e të hapet diskutimi në seancë. Çka do të ketë raporti final nuk mund të paragjykoj. Kam propozuar që të ketë krahasime me vendet tjera. Rekomandimet tona duhet të jenë me kredibilitet e të ketë mësime të nxjerra nga menaxhimi i situatës tash nga dy qeverisje për shkak të rrethanave politike. Kemi tri faza, mbledhjen e dëshmive, intervistimi i dëshmitarëve dhe përgatitja e raportit. Vërehet tendenca e politizimit, por do të ftohet edhe ish-ministri Vitia, edhe ai aktual. Është IKSHPK-ja, personat e involvuar në qendrat operative emergjente, zyrtarë të aeroportit, policisë, menaxhim të qendrës zona karantinë. Kjo i përket ish-qeverisë pasi është përmbyllur zona e karantinës. Pjesa e rimëkëmbjes dhe vazhdimësia do të trajtohet në të dy administratat”, ka vazhduar ajo.