Kusari-Lila: PDK-ja ta nënshkruajë mocionin e mosbesimit, s’ka nevojë për drama

Mimoza Kusari-Lila- shefe e grupit parlamentar të Vetëvendosjes

Deputetja nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nëse Partia Demokratike e Kosovës kërkon legjitimitet, le ta nënshkruajë mocionin e mosbesimit.

“Sot nëse PDK-ja, dëshiron të punojë në interes të vendit, e ka mundësinë le ta nënshkruajnë mocionin e mosbesimit. Qeveria shkon në shtëpi vendi shkon në zgjedhje dhe shihet legjitimiteti. S’kemi nevojë për drama. As tensione, as emërime e mbiemërime a është qeveri koti apo jo”, tha ajo.

I është përgjigjur deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

Reklama e sponzorizuar

“Mos folni diçka inekzistente. S’ka mocion. Inicione në Kuvend këtë kërkesë për mocionmosbesimi dhe edhe PDK-ja jep përgjigje meritore”, tha Krasniqi.

Kusari-Lila, në replikë e falënderoi Krasniqin për “mbështetjen e PDK-së”.

“Çdo gjë është gati, lajm i mirë se PDK-ja 100 për qind e voton rrëzimin e qeverisë aktuale”, tha Kusari-Lila.

Baxhaku: Njerëzit e Kurtit në mesnatë deshën të ma ndërronin mendjen kundër Qeverisë Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku, thotë se pak para votimit të Qeverisë Hoti, një bashkëpunëtor i Albin Kurtit ka shkuar për t’i kërkuar të mos e japë votën pro Qeverisë Hoti. Thotë se nuk e ka pranuar, e më pas i është kërkuar të takojë edhe ish-kryeministrin Kurti.

“Ju po bazoheni në votim të z.Shala. Lideri juaj nuk është hiç më i mirë, dy ditë para se të votohet qeveria, një bashkëpunëtor i ngushtë i Kurtit më ka kërkuar të mos votojë këtë qeveri. Në përgjigjen time, se do ta votojë këtë qeveri legjitime, më ka thënë se z.Kurti, lideri i tij, do një takim me mua. Ka qenë ora 22:00. Pra dallimi nuk është veç te Albini-Hashimi. Dallimi është vet Albini”, tha Baxhaku.

Baxhaku i ka kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje të mos e quajnë Qeverinë e Avdullah Hotit “koti”, sepse asaj i ka dhënë legjitimitet Gjykata Kushtetuese.

Osmani do të kërkojë interpretim nëse përmendja “Qeveria Koti” është gjuhë joparlamentare

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në Kuvend të mos përdoret gjuhë joparlamentare.

Ky reagim i deputetëve të LDK-së erdhi pasi ata të Vetëvendosjes e quajtën “Qeveria Koti” Qeverinë e Avdullah Hotit në disa raste.

Për këtë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se do të kërkojë nga komisioni përkatës ta interpretojë fjalën “koti” nëse është gjuhë parlamentare apo jo.

“Në të njëjtën kohë, do të kërkojë që ta konstatojë në qoftë se bërtima e juaj ‘a je normal’, ta konstatojë a është e drejtë apo jo”, tha Osmani.