Lajçak të hënën në Kosovë

Zyra e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka vazhduar vetëm të përgjigjet se ai “ ditëve në vijim do ta vizitojë rajonin”, pa saktësuar se ku do të shkojë dhe se “programi i vizitës ende nuk është finalizuar”, shkruan KOHA.

“Koha Ditore” mëson nga burimet e saj se Lajçak në Prishtinë do të vijë mundësisht të hënën, ndërsa për shkak të kufizimeve në udhëtime, të cilat janë ende në fuqi, ai pritet që vizitën ta realizojë duke fluturuar për Tiranë dhe pastaj nga atje me veturë për në Prishtinë. Në Kosovë do të duhet të qëndrojë deri të enjten, dhe këtë kohë do ta shfrytëzojë për takime me “partnerët” në Kosovë në përgatitje të rifillimit të dialogut.

Jozyrtarisht merret vesh se ai do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti, por mbetet e paqartë nëse do të arrijë të takohet edhe me presidentin Hashim Thaçi, i cili ka vazhduar të refuzojë takimet me Lajlakun, duke rikujtuar se ish-ministri i Jashtëm i Sllovakisë ka qenë kundërshtar i pavarësisë së Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Një qëndrim i tillë i Thaçit i ka zemëruar disa diplomatë në BE, të cilët thonë se “nuk e dinë arsyen pse Thaçi sillet në këtë mënyrë”, por “shpresojnë që edhe ai do të bashkëpunojë me Lajçakun, i cili e ka mbështetjen e shteteve kryesore të BE-së”.