Lekaj thotë se Autostrada e Dukagjinit do të realizohet

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se autostrada e Dukagjinit, projekt ky që është iniciuar gjatë kohës sa ka qenë ministër i Infrastrukturës, do të realizohet brenda mandatit të Qeverisë Hoti.

Lekaj  ka thënë se për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid-19, ekziston mirëkuptimi brenda koalicionit qeverisës që këtë vit të mos nisë ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, por në vitin e ardhshëm duhet të ketë mbështetje financiare për jetësimin e projektit në fjalë.

“Sa i përket projekteve mendoj se duhet të ketë vazhdimësi, duhet të jenë vazhdimësi dhe jo të fillohet prej fillimit”.

Reklama e sponzorizuar

“Në projektet që kemi qenë të fokusuar – sidomos në fushën e infrastrukturës – është infrastruktura ajo që ndikon në zhvillimin e vendit. Unë besoj se me Qeverinë Hoti do të realizohen këto projekte”.

“Në këtë vit e kemi kuptuar drejt situatën e krijuar nga Covid-19, por në vitin e ardhshëm duhet të ketë mbështetje financiare sepse vendimi për autostradën e Dukagjinit është miratuar në Parlament dhe është bërë ligj”.

“Edhe kur ndryshojnë qeveritë, ne nuk guxojmë ta atakojmë një rajon sepse kjo është e pakuptimtë”, ka thënë Lekaj.