Maqedonia e Veriut ka vendosur që nga 26 qershori të lejojë hyrjen në këtë vend pa asnjë kusht, duke hequr kushtin e testimit për koronavirus dhe atë të vetizolimit 14-ditor.
Mediat në Maqedoni kanë njoftuar se Qeveria e Maqedonisë ka vendosur sot po ashtu për hapjen e transportit në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit dhe atij në Ohër, me protokolle të veçanta për punë.
Është miratuar edhe propozimi për fillimin me punë edhe brenda hapësirave të mbyllura të objekteve hoteliere, përmes protokollit të përshtatshëm për punë, hapja e palestrave dhe qendrave të fitnesit.
Në Maqedoni, ka shtim të madh të rasteve me koronavirus kohëve të fundit. Në 24 orët e fundit janë regjistruar katër vdekje. Në total deri tash në Maqedoni janë regjistruar 5311 raste me koronavirus, ndërsa 251 persona kanë vdekur.