Mbingarkesa… punoni më pak dhe shpërfillni “propagandën produktivitet”

Koha e rikuperimit është çelësi drejt inovacionit dhe produktivitetit, thotë antropologia dixhitale, Rahaf Harfoush.

Në një anë, burnout (mbingarkesa) dhe në tjetrën, mbingarkesa e shkaktuar nga pandemia. Për shumë punonjës, mjedisi profesional ka ndryshuar në mënyrë radikale që kur COVID-19 ndërpreu jetën – por jo intensitetin e punës së tyre. Krijimi i balancave mes jetës profesionale dhe jetës personale e bën rrezikun e ‘burnout’ më të madh se kurrë.

Antropologia dixhitale dhe autorja Rahaf Harfoush, libri i së cilës “Hustle & Float: Reclaim Your Creativity and Thrive in a World Obsessed With Work” analizon epideminë e mbingarkesës, thotë se zgjidhjet duhet të shkojnë përtej trajtimit të simptomave si lodhja dhe ankthi. Në vend që të kufizohemi të përshkruajmë thjesht pushim apo një regjim të shëndetshëm ushqimor, ajo thotë se ka ardhur momenti që të shpërbëjmë burimet kulturore që qëndrojnë në themel të ‘burnout’ dhe të bëjmë diçka radikale: të punojmë më pak. Në intervistën më poshtë shpjegon se si….

Në librin tuaj, ju analizoni origjinën e mbingarkesës në punë. Çfarë është në lojë?

Reklama e sponzorizuar

Që nga Revolucioni Industrial, filozofia mbizotëruese në punë përqendrohej te produktiviteti si metrika e vetme që është e rëndësishme për suksesin. Me zhvillimin e kulturës së punës, ne kemi përfshirë idenë që koha e shpenzuar pa bërë asgjë është kohë e humbur. Ç’është më e keqja, na shtyjnë të besojmë që, nëse nuk jemi në vështirësi dhe nëse nuk angazhohemi, nuk e meritojmë suksesin. Dhe, tani, marrëdhënia jonë me punën është e lidhur ngushtësisht me veten dhe ndjesinë e vetëvlerësimit. Por kjo ideologji është në kundërshtim me kërkimin shkencor, që thotë se, që punonjësit e dijeve*, që të mund të bëjnë sa më mirë punën e tyre, kanë nevojë për hapësirë dhe kohë jo të strukturuar.

Në ç’mënyrë kriza aktuale shëndetësore ndikon në këtë dinamikë?

Struktura mbi të cilën kemi ndërtuar pritshmëritë tona të punës na ka dëmtuar ne prej një kohe të gjatë. Kur ju ndërthurni kulturën e punës së tepërt kronike me shpërqendrimin e natyrshëm që vjen nga teknologjia dhe rrjetet sociale, gjatë kohës që jemi (një pjesë janë rikthyer) të detyruar të qëndrojmë në shtëpi, ju keni një recetë për ankthin e shtuar dhe turpin. Kjo i çon njerëzit drejt korsisë së mbingarkesës

Si mund ta ndërpresë këtë cikël të punuarit më pak?

Duhet të ndërtojmë një sistem pune që reflekton funksionimin e trurit tonë dhe nevojave të krijimtarisë sonë. Kjo fillon me përfshirjen e rimëkëmbjes në procesin e të punuarit. Ju nuk mund të jeni inovator nëse nuk jeni krijues, dhe nuk mund të jeni krijues nëse jeni i stresuar, i lodhur, i shpërqendruar dhe pa gjumë. Të çlodhesh nuk do të thotë të devijosh nga objektivat, por ta bësh më të mundur arritjen e tyre. Nuk po them që të mos nguteni. Me këtë nënkuptoj që kur punoni fort, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një pandemi apo jo, është e rëndësishme të çlodheni shumë më pas.

Si ta shmangnim të punuarit si zakonisht?

Ju mund të bëni disa hapa të vegjël. Për shembull, jepini vetes 30 minuta kohë për të ngrënë drekë pa shpërqendrime të tjera – mos e kontrolloni email-in, rrjetet sociale.
Ju mund ta nisni këtë praktikë edhe me 15 minuta.

Ndryshimi i kulturës së punës nuk do të ndodhë brenda natës. Ju çfarë këshilloni për ata që ndihen të mbingarkuar tani?

Filloni t’i kushtoni rëndësi shqetësimeve. Nëse ndiheni të shqetësuar, në ankth apo fajtorë, merrni pak kohë dhe bëni një analizë të thellë për të kuptuar se çfarë qëndron pas saj.
Ne duhet t’i japim vetes kohë për t’u zhvendosur drejt një qasje më pozitive dhe për të përforcuar idenë se çlodhja ka po aq vlerë sa edhe puna. Askush nuk mund ta bëjë këtë për ne. Pushimi duhet të jetë pjesë e axhendës suaj dhe zbatojeni këtë pjesë me përpikëri.

Ju këshilloj të masni kohën që ju duhet për të kryer punën për të kuptuar se për sa kohë keni nevojë në të vërtetë. Kjo do t’ju lejojë të bëni një axhendë më reale të gjërave të duhet të bëni dhe do të shmangë që të ndiheni të mbingarkuar. Kini parasysh: Jemi të kufizuar në kohë e megjithatë ne mbivlerësojmë vazhdimisht pristshmëritë tona. Ky është një problem që mund të zgjidhet.

Cila është e vërteta që duhet të kenë parasysh punonjësit?

Nëse jeni për shembull një profesionist i niveleve të larta dhe ripërtëritja nuk është pjesë e qëllimshme dhe strategjike e kohës tuaj dhe fluksit të punës, ju vetëm po dëmtoni produktivitetin në afat të gjatë…/monitor.al

—–

*Punonjësit e dijeve janë ata puna e të cilëve lidhet me njohuritë. Për shembull programuesit, mjekët, farmacistët, arkitektët, inxhinierët, shkencëtarët, dizajnerët, avokatët, akademikët…. etj., etj., puna e të cilëve kërkon “që të mendosh për të jetuar”.

*Lindsey Tramuta
Burimi: Bloomberg