Rritja e numrit të të infektuarve më koronavirus në vend, ka çuar edhe në rritjen e atyre që janë hospitalizuar. Në Klinikën Infektive të hënën kanë qenë duke u trajtuar 93 raste me COVID-19, më së shumti që nga fillimi i pandemisë. Përveç Klinikës Infektive sipas Shërbimit Spitalor, Klinik, Universitar të Kosovës (SHSKUK), në funksion të trajtimit të të sëmurëve me COVID-19, aktualisht janë edhe Klinika e Dermatologjisë dhe ajo e Pulmologjisë. “Ju konfirmojmë se kemi rritje të rasteve, pacientëve të shtirë me COVID-19 dhe rasteve që presim konfirmim rezultati. Për momentin kemi mbi 100 pacientë që kërkojnë kujdes shëndetësor”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për medie të SHSKUK-së dhënë Kohës.
Ata kanë thënë se nga e marta do të hapet edhe Qendra e Mjekësisë Sportive. “Përveç infektives, kemi në funksion edhe Klinikën e Dermatologjisë dhe Pulmologjisë. Mjekësia Sportive hapet nga dita e martë, 23 Qershor 2020 dhe në të vendosen rastet që kanë nevojë për frymëmarrje të asistuar dhe të intubuar”, thuhet në përgjigje, derisa shtohet se sipas nevojës dhe situatës epidemiologjike, do të lirohen edhe hapësira të tjera në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Spitalet e Përgjithshme.
Edhe në Ministrinë e Shëndetësisë kanë thënë se për të përballuar një fluks më të lartë të pacientëve që kanë nevojë për tretman spitalor, kanë rikthyer në mobilizim të plotë kapacitetet e Klinikës së Pulmologjisë, të Klinikës së Dermatovenerologjisë dhe të Mjekësisë Sportive si asistencë për Klinikën Infektive. Kjo, sipas një përgjigjeje të zyrës për medie të Ministrisë, thuhet se është bërë duke parë që shtimi i rasteve të COVID-19, e që ka rezultuar me rritje edhe të numrit të personave që kërkojnë tretman spitalor.
“Klinika Infektive ka aktualisht 125 shtretër dhe 6 respiratorë, me mundësi të shtimit të tyre sipas nevojës. Në nivel vendi ka rreth 160 respiratorë, përfshirë edhe 20 të fundit që ditë më parë janë siguruar nga BE-ja (me Norvegjia, Zvicra dhe Luksemburgu)”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Gjithashtu, thuhet se në funksion do të jenë edhe repartet infektive të Spitaleve të Përgjithshme (rajonale), siç theksohet, ato që kanë kushte. Një prej tyre sipas vlerësimit të bërë nga Zyra e OBSh-së në Kosovë, thuhet se është Reparti i Sëmundjeve Infektive në Spitalin e Prizrenit.
“Ky mobilizim i kapaciteteve spitalore nënkupton rreth 500 shtretër që mund të vihen në funksion të trajtimit spitalor të COVID-19, pavarësisht se shumica e rasteve të reja të zbuluara gjatë qershorit, janë me simptomatologji të lehtë apo pa simptoma dhe mund ta tejkalojnë sëmundjen përmes vetizolimit 2 javor në shtëpi, duke monitoruar vetë gjendjen e tyre dhe duke kërkuar edhe ndihmën e profesionistëve shëndetësorë, varësisht prej gjendjes së tyre”, thuhet në përgjigje.