Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar raportin vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2019.
Nënkryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha tha se problemi kryesor në këtë agjencion është zgjedhja e komisionarit, e për çka u zotua se do të ndodhë së shpejti.
“Ishte urgjente përzgjedhja e komisionarit pasi pa pasur komisionarë nuk ka as inspektorë dhe ky agjencion ishte në hall dhe ne u zotuam se do të ndërmarrim masa dhe të ndihmojmë zgjedhjen sa më parë të komisionarit”, tha ai.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha tha se në këtë mbledhje u diskutua edhe për Nezir Mehmetajn, i cili është ndaluar nga autoritetet serbe.
“Morëm zotimin që, siç e dini, qytetari i Kosovës, Nezir Mehmetaj gjendet në Serbi dhe institucionet nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Ne kemi sistem te drejtësisë. Ai duhet të përgjigjet për çka do qoftë në institucionet tona apo për ndonjë krim lufte, ne e kemi edhe Gjykatën Speciale dhe nuk ka nevojë që qytetarët e Kosovës të mbahen peng në Serbi. Iu bëjë apel me president, me kryeministër, me ministër të Punëve të Brendshme që të ngrenë zërin për Nezir Mehmetaj”, tha ai.
Lidhur me raportimet se ish-ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveqla e ka lënë të hapur kasafortën me dokumente të klasifikuara shtetërore, që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare, nënkryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha tha se këto sqarime do t’i marrin nga ministri i këtij dikasteri, Agim Veliu, i cili pritet që javën tjetër të raportojë para këtij komisioni.
“Ne e kemi thirrur të raportojë në Komision ministrin e Punëve të Brendshme dhe pastaj aty do të sqarohet gjithçka”, tha ai.
Kasaforta me dokumente të klasifikuara shtetërore që mbajnë vulën e konfidencialitetit dhe të cilat lidhen direkt me sigurinë kombëtare u la e hapur në zyrën e ish-u.d. të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, aty ku duhej të ishin nën dry.
Me ligj parashihen sanksione penale jo vetëm për ata që e nxjerrin, por edhe ata që nuk e mbrojnë rrjedhjen e këtyre dokumenteve në publik.
Fjala është për kasafortën në të cilën ruhen dokumentet konfidenciale të ministrit të Punëve të Brendshme që përmbajnë të dhëna të rëndësishme për sigurinë e shtetit./KosovaPress/