MPB-ja fton AKI-në të inspektojë për sigurinë e dokumenteve në kabinetin e Sveçlës

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të kërkojë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë të inspektojë nëse janë të arsyeshme shqetësimet për sigurinë fizike të dokumenteve të klasifikuara në Kabinetin e ish-ministrit Xhelal Sveçla. Në një njoftim për media, MPB-ja ka thënë se pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinet “është gjetur një gjendje e parregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara në nivelin përkatës të klasifikimit”.

Sipas njoftimit, MPB-ja ka themeluar fillimisht një komision për të evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit.

“Ky Komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në njoftim. “Pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë. Po ashtu do të ftojmë autoritetin kompetent, pra Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se Kabineti i ish Ministrit Sveçla a i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde siç i përcakton Rregullorja nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”.

Reklama e sponzorizuar

MPB-ja ka thënë po ashtu se “do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se: ‘cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim’”.