Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar të mos testohen më rastet e kontaktit të të prekurve me COVID-19. Nga tash do të mund të testohen vetëm ata që kanë simptoma dhe ata që kanë histori udhëtimi në vatrat e koronavirusit.
Bujar Gashi, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, ka konfirmuar se nuk do të mund të testohen më personat e kontaktit të të infektuarve.
Deri më tash janë testuar vazhdimisht rastet e kontaktit, e në shumë herë kjo “rrjetë” është zgjeruar më tepër. Ditëve të fundit, situata me koronavirus ka nisur të përkeqësohet. Kryetari i Prishtinës më herët ka propozuar që të mos ndiqen më rastet e kontaktit për shkak të të numrit gjithnjë e më të madh të të infektuarve.
“Rekomandim i përditësuar për testim për SARS-CoV-2. Me rritjen e numrit të rasteve të detektuara në dy javët e fundit si dhe largimin e kufizimeve në lëvizje të qytetarëve të Kosovës, kapacitetet laboratorike janë të kufizuara për testim të çdo kontakti eventual të rasteve të konfirmuara me COVID-19. Bazuar në rekomandimet e OBSH-së dhe ECDC-së, konform situatës epidemiologjike aktuale dhe kapaciteteve laboratorike të kufizuara, në vijim janë përcaktuar kriteret për testim në COVID-19. Testimi laboratorik për COVID-19 duhet të bëhet sipas kritereve: 1; Pacientët me infeksion akut të traktit respirator (fillimi i papritur i sëmundjes me të paktën njërin këto shenja e simptoma: kollë, ethe, frymëzënie) ose shfaqje e papritur e anosmisë (humbje e shqisës së nuhatjes), ageusia (shijes) ose imazheri radiologjike që tregojnë lezione kompatibile me COVID-19 dhe 2; Histori udhëtimi ose vendbanimi në një vend/zonë, ku ka pasur vatra të rasteve ose përhapje në komunitet gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave”, thuhet në rekomandimin e MSH-së.
Deri më tash, në Kosovë janë shënuar 2.169 raste me COVID-19, ndërkohë që kanë vdekur si pasojë e tij 37 persona.