Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se vënia e dialogut me Serbinë, në kontekstin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale është “e rrezikshme vetëm të mendohet e jo të ndodhë”.
Në një reagim të tij në Facebook, Mustafa ka thënë se gjykata duhet të jetë e pavarur në ndarjen e drejtësisë, siç ka thënë se duhet të jetë edhe dialogu.
Duke komentuar reagimet e fundit të Wolfgang Petritschit, ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në periudhën e viteve 1998-99, dhe Carl Bildtit, bashkëkryesues i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, se iniciativa e Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi po dështon për shkak të ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe BE-ja duhet të marrë përsipër dialogun, Mustafa ka thënë se është vështirë të niset dikush për të dialoguar me logjikën e komenteve të tyre.
Vënia e dialogut me Serbinë në kontekstin e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, është e rrezikshme vetëm të mendohet e jo të ndodhë. Gjykata duhet të jetë e pavarur në ndarjen e drejtësisë. Ashtu siç duhet të jetë dialogu i pavarur. Është vështirë të niset dikush në rrugë për Washington apo për Bruksel për të dialoguar, me logjikën e komenteve dhe analizave të disa gazetarëve dhe analistëve të jashtëm, edhe me logjikën e Carl Biltdit dhe Volfgang Petrichit”, ka thënë ai. “Logjika e parandalimit të ndonjë marrëveshje në Washington apo në Bruksel, nuk besoj se është dhe do duhej të jetë logjikë e një Gjykate. Sepse ajo duhet të ndajë drejtësi, për çfarë është themeluar”.
Sipas Mustafës, “nëse nuk do të ishte kështu, atëherë pa u nisur në rrugë për të shkuar në dialog, duhet t’ia marrësh hallallin familjes”.
“Ec e bëhu trim!” ka përfunduar ai.