Mustafa kritikon Osmanin dhe Kurtin për bojkotime

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka kiritikuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani, për bojkotimin e seancës së djeshme ku u votua Qeveria Hoti, dhe ish-kryeministrin Albin Kurti, që sot nuk ia dorëzoi detyrën Avdullah Hotit.

Porse thotë se ky bojkotim i bashkërenditur prej tyre, nuk iu bëri punë.

“Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë. E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm”, shkruan Mustafa në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, thotë se “sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti”.

“Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve. Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremoninë e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij”, përfundon Mustafa.