Nga 30 euro kishin marrë si dhuratë për vitin e ri punëtorët e ndërmarrjes publike “Bifurkacioni”, ani pse ndërmarrja në atë kohë ishte duke punuar me humbje. Kjo shkelje nga menaxhmenti është konstatuar në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.
Në total, për gjithë stafin, u dhanë 6 mijë e 994 euro, ku për secilin u ndan nga 30 euro.
Auditori gjeti se me këtë vendim, menaxhmenti i ndërmarrjes në krye me Xhabir Morinën, shkeli rregulloren për paga, e cila lejon mëditjet për stafin vetëm në rastet kur ndërmarrja ka përformancë pozitive financiare.
“Kryeshefi Ekzekutiv, edhe përkundër operimit me humbje të Kompanisë, me rastin e festës së Vitit të ri, të gjithë punonjësve ju kishte ndarë nga 30€ neto pa obligim kthimi”, thuhet në raportin e Auditorit.
Sipas zyrtarëve të “Bifurkacionit”, arsyeja e marrjes së këtij vendimi, ka të bëjë me “përpjekjen për krijimin e një atmosfere stimuluese pozitive për performancë më të mirë për vitin vijues”.
Por sipas Auditorit, ndarja e mjeteve financiare për punonjësit, në situatën kur Kompania operon me humbje, ndikon në thellimin e mëtejshëm të humbjeve dhe “është shembull jo adekuat për të stimuluar përmirësimin e performancës.”
Ndryshe, “Bifurkacioni” është ndërmarrje publike e cila menaxhon me ujin e pijshëm dhe ujërat e zeza për komunat e Ferizajit dhe Kaçanikut. /Buletini Ekonomik/