Më pak se një javë, prej kur Gjykata Kushtetuese ka bërë publik vendimin lidhur me mandatarin për formim të qeverisë së re, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të mërkurën në orën 11:00 të nisë seancën për të votuar një përbërje të re ekzekutive, në krye me Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 28 maj, është thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me të drejtë ka mandatuar Hotin për formim të qeverisë së re.
Lëvizja Vetëvendosje, partia që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit, nuk është pajtuar as kur Thaçi ka marrë vendim për mandatarin, dhe e ka dërguar të njëjtin në Kushtetuese dhe as pas aktgjykimit të kësaj të fundit, rreth kushtetutshmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës.
Për pjesëtarët e LVV-së, vendimi i Gjykatës ka qenë skandaloz.
Kjo parti nuk ka bërë të ditur nëse do të jetë pjesë e seancës ditën e mërkurë, ani pse shefi i Grupit Parlamentar të kësaj Lëvizjeje, Rexhep Selimi, ka thënë të martën për media se partia të cilës ai i takon, do të kundërshtojë, atë që e ka cilësuar si “rrëmbimin e fitores së Vetëvendosjes”.
“Ata kanë një target, që ta rrëmbejnë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, fitoren e qytetarëve dhe ta tjetërsojnë atë”, ka deklaruar ai.
Për këtë parti, zgjedhjet janë zgjidhje. Të shtunën, më 30 maj, Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimurati ka njoftuar se pjesëtarët e kësaj Lëvizjeje do të nisin një peticion për mbajtje të zgjedhjeve të reja në Kosovë.
“Zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, zgjedhjet janë paqësore dhe demokratike. Ato janë e vetmja rrugë për të dalë nga ngërçi. Peticioni do të jetë i stërmadh”, ka deklaruar mes tjerash ajo.
Përveç versionit online, nga dita e martë ka nisur edhe nënshkrimi fizik i peticionit, “Duam Zgjedhje!” nëpër sheshet kryesore të Kosovës.
Pas mbledhjes së mbajtur në pasditen e së martës, Vetëvendosje ka thënë se protestat po bëhen të pashmangshme, ndonëse nuk ka paralajmëruar ndonjë organizim për ditën e mërkurë.
“Për neve qeveria nuk është qëllim, por mjet për shtetin dhe shërbim për qytetarin. Natyrisht, nuk duam të dekurajojmë protesta të tjera të paralajmëruara nga grupe të ndryshme të qytetarëve”, është thënë në faqen zyrtare të LVV-së në Facebook.
Çfarë e pret qeverinë e re?
Një ditë para mbajtjes së seancës, mandatari për formim të qeverisë së re, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, derisa ka veçuar, luftimin e pandemisë së koronavirusit të ri, problemet ekonomike dhe dialogun me Serbinë.
Edhe Kosova, sikurse shumica e vendeve në botë është duke u përballur me sëmundjen, COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Marrë parasysh të dhënat deri më 2 qershor, autoritetet e Kosovës kanë regjistruar, 1,123 raste me koronavirus.
Prej tyre, 847 janë shëruar derisa 30 kanë vdekur.
Kjo pandemi pritet të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se besohet që në baza ditore, koronavirusi shtetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 6 milionë euro.
Por jo më pak i rëndësishëm është dialogu me Serbinë. Ky proces, që është pezulluar nga viti 2018, konsiderohet tejet i rëndësishëm për rrugën evropiane të Kosovës.
Shkak për pezullim të dialogut ka qenë vendosja e taksës 100 për qind në mallrat serbe nga Qeveria e kaluar e Kosovës.
Kabineti i Hotit
Përveç prioriteteve, pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së të martën, Hoti ka njoftuar edhe se është arritur pajtueshmëri për emrat e ministrave të kabinetit të tij nga partia të cilës ai i takon.
Në mesin e propozimeve janë:
- Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
- Hykmete Bajrami ministre e Financave
- Besjan Mustafa ministër i Bujqësisë
- Vlora Dumoshi ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
- Anton Çuni mbetet ministër i Mbrojtjes,
- Arban Abrashi ministër i Infrastrukturës,
- Agim Veliu ministër i Brendshëm dhe
- Armend Zemaj ministër i Shëndetësisë.
Ditë më parë, emrat e ministrave eventualë i ka bërë të ditur edhe AAK-ja.
“Misioni më i vështirë i kësaj qeverie do të jetë misioni i shpëtimit të ekonomisë së vendit. Zoti Blerim Kuçi është ministër i Zhvillimit Ekonomik, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pastaj për ministre të Jashtme kemi, Meliza Haradinaj – Stublla, ministër i Drejtësisë, Selim Selimi dhe i Arsimit, Ramë Lika si dhe zëvendëskryeministër Besnik Tahiri, pra një ekip vërtetë i suksesshëm”, ka thënë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Jo të gjithë duan qeveri të re
Por, jo të gjithë pjesëtarët e këtyre partive politike pajtohen me vendimin për formim të qeverisë së re. Vjosa Osmani, nënkryetare e LDK-së, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thënë të martën për kallxo.com se vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas përfundimit të pandemisë me koronavirus.
Deri në atë periudhë, ajo ka sugjeruar se do të mund funksiononte një qeveri tranzitore me mandat 6-9 muaj, e drejtuar nga një figurë unifikuese me ministra teknikë.
“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh. Prandaj interpretimet tendencioze se kjo është kundër dikujt nuk qëndrojnë”, ka deklaruar Osmani për kallxo.com.
Pse u rrëzua Qeveria Kurti?
Diskutimet për qeveri të re kanë ardhur pas rrëzimit të qeverisë, tashmë në detyrë, të drejtuar nga Albin Kurti, nga LDK-ja përmes një mocioni të mosbesimit.
Pjesëtarët e LDK-së e patën arsyetuar marrjen e këtij vendimi, pas shkarkimit të Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm dhe mospajtimeve rreth qasjes së Qeverisë Kurti ndaj taksës 100 për qind në mallrat serbe, që ishte vendosur nga një qeveri e kaluar.
LDK-ja ka insistuar në heqjen e kësaj tarife, pa zëvendësim me masë reciprociteti, siç ka vepruar Kurti.
Ky i fundit ka hequr taksën ndaj mallrave serbe më 1 prill në këmbim të reciprocitetit ani pse mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë së tij është mbajtur më 25 maj.
Si përfundim, koalicioni qeveritar mes LVV-së dhe LDK-së, për të cilin është negociuar për 3 muaj, nuk ka arritur të qeverisë as për 100 ditë të plota.
Letërkëmbimi Thaçi-Kurti
Pak pas rrëzimit të qeverisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur konsultimet me kryetarët e partive politike, për t’i kërkuar më vonë Lëvizjes Vetëvendosje, emrin e mandatarit për formim të qeverisë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetari i LVV-së, Albin Kurti pati thënë se do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.
Ata kanë këmbyer edhe të paktën dy letra tjera, dhe në asnjërën prej tyre Kurti nuk ka dërguar ndonjë emër.
Madje në njërin prej këmbimeve, Kurti i pati thënë Thaçit se nuk mund të përdorë “standarde të dyfishta”, duke theksuar se nuk mund të formohet qeveria e re, por vendi duhet të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së koronavirusit.
Reagimi i faktorit ndërkombëtar
Mirëpo më 30 prill, Thaçi ka marrë vendim për dekretim të Hotit si mandatar për formim të qeverisë së re, vendim i cili pas miratimit të Gjykatës Kushtetuese, ka nxitur reagime edhe të faktorit ndërkombëtar.
Ambasada amerikane në Prishtinë u ka kërkuar të gjithë liderëve politikë të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të përmbahen nga gjuha nxitëse dhe ta shprehin mospajtimin e tyre ekskluzivisht në mënyrë paqësore dhe demokratike.
Kosova, si republikë parlamentare, duhet të zgjedhë qeverinë e re përmes votimit në kuvend.
Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.