Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Botërore përmes Asociacionit Zhvillimor Ndërkombëtar, në vlerë prej 46 milionë euro për “Projektin Emergjent COVID-19 për Kosovën”, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MF’ja ka bëre me dije se mjetet financiare do të destinohen në parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga COVID-19, duke mundësuar ndër të tjera prokurimin e pajisjeve mjekësore, si dhe forcimin e sistemit shëndetësor publik duke i rritur kapacitetet e testimit dhe zgjerimin e kapaciteteve të Klinikës së Sëmundjeve Infektive.
Në kuadër të kësaj kredie, do të mbështeten skemat e ndihmave sociale dhe amvisëritë sipas Pakos së kaluar dhe Programit për Rimëkëmbje Ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, si pjesë e Bankës Botërore, është institucion kredidhënës, i cili përmes huadhënies në kushte më të favorshme sesa të tregut financiar, synon të ndihmojë ndër të tjera reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve jetësore.