Sipas statistikave zyrtare, numri i personave që kanë kërkuar azil në Evropë gjatë muajit prill ka rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një dekadë për shkak të mbylljes së kufijve, masë e marrë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zyra Mbështetëse Evropiane për Azil njoftoi se gjatë muajit prill janë regjistruar 8,730 aplikues për azil, 86 për qind më pak se në muajin shkurt, kur ishin regjistruar 61,421 azilkërkues. BE-ja i ka mbyllur kufijtë e jashtëm në mars dhe shumë shtete anëtare e kanë pezulluar procesin e pranimit të aplikimeve për azil.
Të dhënat e kësaj zyre gjithashtu tregojnë se numri i azilkërkuesve në mars ra për 44 për qind në krahasim me muajin shkurt. Pikërisht në mars filluan të zbatohen masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit të ri.
Në bazë të statistikave, shumica e personave që kanë kërkuar azil në Evropë kanë qenë nga Afganistani, Venezuela dhe Kolumbia, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Rruga e azilkërkuesve drejt Evropës edhe ashtu ishte vështirësuar viteve të fundit. BE-ja i ka bllokuar rrugët që shfrytëzoheshin në të kaluarën nga imigrantët dhe ofroi fonde për Libinë dhe Turqinë që ta bllokonin kalimin e imigrantëve në territorin e BE-së përmes detit.
Në prill, Italia tha se nuk do t’i lejojë anijet e organizatave bamirëse me imigrantë të ankorohen në portet e saj për shkak të pandemisë. Malta gjithashtu ka thënë se nuk mund ta garantojë shpëtimin e imigrantëve apo ta lejojë hyrjen e tyre në territorin e saj gjatë gjendjes emergjente me koronavirus.