Dëmi ekonomik, i shkaktuar nga pandemia COVID-19, mund t’i fusë edhe 400 milionë njerëz në varfëri ekstreme, thuhet në raportin e ri të Kombeve të Bashkuara, i cili paraqet disa skenarë për vlerësimin e ndikimit të Coronavirusit në të ardhurat botërore.
Në skenarin më të keq – humbje për 20 për qind e të ardhurave për kokë banori – numri i atyre që jetojnë me 1.90 dollar në ditë mund të rritet në më shumë se një miliard. Për më shumë se 3.7 miliardë njerëz – mbi gjysmën e popullsisë së botës – të ardhurat po ashtu mund të bien nën 5.50 dollarë në ditë.
“Perspektiva për më të varfërit në botë duket e zymtë nëse qeveritë nuk bëjnë më shumë për ta. Përparimi në zvogëlimin e varfërisë mund të kthehet 20 deri në 30 vjet prapa dhe ta bëjë ëndërr qëllimin e Kombeve të Bashkuara për t’i dhënë fund kësaj dukurie”, tha Andy Sumner, një nga autorët e raportit, përcjell Telegrafi.
Miliona njerëz në botë kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë COVID-19, e cila ka detyruar mijëra biznese të ndalojnë operimet.
Sëmundja COVID-19, që e shkakton Coronavirusi, ka prekur mbi 7.8 milionë njerëz në botë, prej tyre, mbi 3.5 milionë janë shëruar dhe mbi 430 kanë vdekur.