OKB-ja shpalos ndikimin e koronavirusit në shoqërinë e Kosovës

Ekipi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka prezantuar të mërkurën gjetjet e një hulumtimi të kryer në territorin e Kosovës, në periudhën mars-prill, për të kuptuar efektet e koronavirusit në shoqëri.

Hulumtimi, i kryer nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në bashkëpunim me Agjencinë për Gratë të kësaj Organizate, ka gjetur se 56 për qind e personave të anketuar mendojnë se ka pasur rritje të dhunës në familje gjatë asaj periudhe ndërsa 35 për qind ka thënë se nuk dinë ku të kërkojnë ndihmë nëse vetë ata ose ndokush tjetër përballet me diçka të tillë.

Përveç kësaj, 59 për qind e të anketuarve kanë thënë se kanë pasur frikë që nëse situata e izolimit do të vazhdonte ende, ata do të kishin vështirësi në mbulimin e shpenzimeve bazë.

Reklama e sponzorizuar

Sipas hulumtimit, 28 për qind e të gjithë të anketuarve janë përballur me ndryshime në shëndetin e tyre psikologjik, mental ose emocional.

Sa i përket ruajtjes së vendit të punës, rreth 40 për qind e të anketuarve, që kanë qenë të punësuar para pandemisë, kanë qenë në gjendje të mbajnë vendin e tyre të punës, ndonëse në kohën e intervistimit nuk kanë qenë duke punuar fare, derisa 8 për qind e respodentëve kanë thënë se kanë humbur vendin e punës për shkak të situatës së krijuar me Covid-19, sëmundje që shkakton koronavirusi.

Prej regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë e deri më tani janë regjistruar 1,269 raste me sëmundjen Covid-19, që shkakton ky virus.

Prej tyre, 912 persona janë shëruar dhe 31 pacientë kanë vdekur.