Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, ka zhvilluar të enjten një takim me ambasadorët e vendeve të Quint-it.
Vendet e Quint-it përfshijnë: Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë dhe Italinë.
Me anë të një postimi në rrjetin social, Twitter, Osmani ka thënë se me ambasadorët e këtyre shteteve ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike.
“Kisha një takim produktiv me ambasadorët Quint-it për të diskutuar zhvillimet më të fundit politike. I falënderova të gjithë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit tonë dhe të gjitha institucioneve tona”, ka deklaruar Osmani.
Takimi i saj me ambsadorët e këtyre vendeve vjen pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti për anulim të takimit, të planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Në këtë takim, të ndërmjetësuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ishte planifikuar rinisja e dialogut mes këtyre dy vendeve.
Një ditë më parë, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ndërprerë udhëtimin e tij në Uashington, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e ka njoftuar publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila e ngarkon presidentin e Kosovës, Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të tjerë me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.