Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar nga të gjitha partitë politike të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
“Debati në këtë Kuvend, nuk e mbaj mend që ka qenë strikt ndonjëherë, gjithmonë del jashtë, si sot”, tha ajo.
Kur ka folur për marrëveshjet ndërkombëtare, tha se janë të mëse të nevojshme.
“Gati dy muaj kemi tentuar të marrim përkrahje që këto marrëveshje të votohen në Kuvend edhe pse qeveria ishte shkarkuar. E vetmja pengesë ka qenë mungesa e vullnetit politik. Meqenëse kam tentuar që këto marrëveshje të silleshin në Kuvend, nga 25 marsi deri 3 qershor, e kam të drejtën morale ta kërkojë edhe sot”, tha Osmani.
Ajo tha se nëse kalohet afati i marrëveshjeve me Bankën Botërore, që janë aktive vetëm deri në fund të qershorit, Kosova do të humbë shumë, përfshirë, edhe ndihma për luftën kundër COVID-19.
“Sa u përket këtyre marrëveshjeve, ua kam borxh qytetarëve se pse unë votojë pro. S’ka të bëjë me qëndrim politik. Secila marrëveshje do ta marrë votën time, kur ka të bëjë për të mirën e Kosovës. Për çështje të tilla duhet bashkëpunim”, tha ajo.
Bajqinovci e quan Hotin asistent ekzekutiv të Thaçit
Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, e ka quajtur kryeministrin Avdullah Hoti “asistent ekzekutiv të presidentit Hashim Thaçi”.
“Nuk është koti, është më zi se koti. Hoti është asistent ekzekutiv i Thaçit, veç ia mban çantën”, tha Bajqinovci në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës.
Bajqinovci, ka tutje përmendur disa, siç tha ai, skandale që kanë votuar LDK-ja. Ndër to, ka përmendur edhe një arrestim për armë dhe drogë, dhe në atë moment i është drejtuar deputetes Besa Gaxherri.
Besa Gaxherri, e ka quajtur spekulant pasi ia përmendi emrin e një pjesëtari të familjes së saj.
“Unë e di që u ke shërbyer edhe si gazetar partive politike. Je spekulant”, tha ajo, duke e quajtur “të mjerë”.
“Mos u merr me familjen tem, merru me familjen tënde”, u shpreh Gaxherri.