Paralajmërohen kallëzime penale për zyrtarët që s’e deklaruan pasurinë

Agjencia Kundër Koruupsion (AKK)

Më 19 qershor ka përfunduar afati shtesë i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Një numër i madh i zyrtarëve të lartë nuk kanë deklaruar pasurinë e tyre, kjo si pretekst i pandemisë, ani pse AKK-ja thotë se kanë pasur afat të mjaftueshëm.

Por, për këtë zyrtarë drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli i tha Ekonomia Online se do të ushtrohet kallëzim penal, e do t’i dërgoj në Prokurori.

Reklama e sponzorizuar

Havolli deklaroi se këta zyrtarë kanë pasur afat të mjaftueshëm, pasi siç njoftoi ai, me procedura të rregullta ka qenë e paraparë të përfundohet më 31 mars.

“Deklarimi i pasurisë ka qenë prej 1 mars deri më 31 mars në procedura të rregullta ku është dashur të shtyhet ky afat deri me 19 qershor. Të premten ka përfunduar ky afat i rregullt. Është një numër i madh i zyrtarëve të lartë që nuk e kanë deklaruar pasurinë, për shkak pandemisë, edhe pse ne i kemi dhënë afat shtesë. Ende nuk e dimë numrin e saktë jemi duke përgatitur listën përfundimtare e cila do të publikohet se shpejti”, tha Havolli.

Shtoi se pandemia ka shfaqur probleme në AKK si shkak i reduktimit të stafit. Më pas tha ai se kanë shqyrtuar edhe shumë raste, qoftë në hetimin e korrupsionit, prokurimit dhe rastet e konfliktit të interesit.

“Agjencia Kundër Korrpsion ka pasur probleme gjatë pandemisë për shkak se një numër i madh i stafit është dashur të reduktohet, ka ngecur puna në zbatimin e misionit të agjencisë. Kemi pasur shumë raste në fusha të ndryshme, qoftë në hetimin e korrupsionit, konfliktit të interesit, prokurimit dhe ajo që na ka bërë problem ka qenë edhe deklarimi i pasurisë”, u shpreh ai.

“Ata që nuk e kanë deklaruar pasurinë fare, do të fillojë procedura e ushtrimit të kallëzimit penal dhe do të dërgohen në Prokurori. Kurse këta që e kanë deklaruar pas afatit do të merren në nga çdo gjë në një arsyetim nëse kanë elemente të mjaftueshme. Nëse nuk kanë arsyetime të mjaftueshme me prova materiale atëherë edhe ndaj këtyre do të ushtrohet kallëzim penal e të dërgohet në Prokurori”, ka thënë Havolli.