Nga 1 korriku, Kosova dhe Shqipëria do të kenë një platformë të përbashkët turistike. Pritet të ketë edhe ulje çmimesh. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, janë takuar sot në Prishtinë.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka pritur në një takim ministrin e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosin, së bashku me kryetarin e Shëngjinit dhe Vlorës.
Krasniqi tha se me ministrin e Turizmit të Shqipërisë diskutuan për fillimin e sezonit turistik në korrik dhe njoftoi për një platformë të përbashkët turistike.
“Sot ndihem jashtëzakonisht i nderuar për vizitën e institucioneve nga Shqipëria. Diskutuam lidhur me turizmin e dyja shteteve mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen. Ramë dakord në fillim të korrikut të bëjmë hapjen e sezonit të verës”.
Ai ka treguar se në muajin nëntor do të bëhet hapja e sezonit dimëror në Kosovë.
“Në fund të nëntorit, të bëjmë hapjen e sezonit dimëror në Kosovë, u pajtuam në një platformë të përbashkët të të dyja vendeve”, tha Krasniqi.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë, Blendi Klosi, tha se me këtë platformë të përbashkët duan të dalin me një ofertë jo vetëm për shqiptarët e të dyja vendeve, por edhe për turistët nga vendet e tjera.
“Si një promotor i jashtëzakonshëm i ekonomisë së shqiptarisë, deti shqiptar është i të gjithë shqiptarëve, alpet janë të përbashkëta e si të tillA do të jenë në një platformë të përbashkët. Diskutuam për një platformë të përbashkët turistike, një ofertë për vendet e tjera, e sidomos për vendet e largëta”.
Ministri Klosi tha se të dyja vendet e dëshmuan se sistemi shëndetësor mund ta luftojë koronavirusin, dhe me këtë garantoi për siguri shëndetësore.
“Me dy bashkitë do të donim të ftonim të gjithë qytetarët të vazhdojnë të jenë turistët më të mirë që Shqipëria ka, në Shqipëri dëshmuam ashtu si në Kosovë se sistemet shëndetësore ia dolën dhe mund të garantojmë një siguri shëndetësore, por që rekomandimet do të zbatohen në rigorozitet”, tha Klosi.
Klosi premtoi që në Shqipëri do të ketë ulje çmimesh gjatë kësaj sezonit turistik.
“Nuk ka shans të ketë rritje çmimesh, do të kemi ulje çmimesh”, tha ai.