Gjatë pandemisë, qytetarët e Kosovës një pjesë të blerjeve i kanë bërë në forma elektronike.
Por, një prej produkteve më të përdorura në botë për pagesa, “PayPal” nuk shtrihet në vendin tonë, duke i kufizuar ata.
E qytetarët organizuan edhe një peticion që kërkonin nga “PayPal” të zgjerohej edhe në Kosovë, raporton KOHA.
Mirëpo, nga kjo kompani thonë se ata po presin një kërkesë nga ana e institucioneve bankare për shtrirje.
“Fatkeqësisht nuk varet tërësisht nga ne të ofrojmë shërbime. Bankat kryesore në Kosovë nuk na e kanë dhënë dritën e gjelbër që t’i shtrijmë shërbimet tona qe një kohë të gjatë. Megjithatë, së fundmi, ekipet tona po punojnë që së shpejti t’i prezantojnë shërbimet tona atje”, thuhet në përgjigjen e “PayPal”.
Ndërkaq, Banka Qendrore e Kosovës ka sqaruar se deri tani, “PayPal” nuk ka bërë kërkesë për të operuar në Kosovë.
“Sa i përket ofrimit të shërbimeve të pagesave në Kosovë, kompanitë fillimisht duhet të shprehin interesin e tyre për hyrje në tregun e Kosovës, pastaj duhet të përmbushin kërkesat ligjore. Me legjislacionin në fuqi, asnjë kompani e themeluar në Kosovë apo jashtë vendit nuk mund të ofrojë shërbime financiare në Kosovë pa qenë e autorizuar nga BQK. Deri tani BQK nuk ka pranuar asnjë shprehje të interesit nga PayPal apo nga ndonjë bankë/institucion financiar për ofrimin e shërbimeve të pagesave vendore apo ndërkombëtare përmes kësaj platforme”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Shoqata e Bankave të Kosovës, në anën tjetër, njofton se të gjitha bankat në vend janë të gatshme të bashkëpunojnë, që qytetarëve t’ua lehtësojnë pagesat dhe shërbimet e tjera online.
“PayPal”është kompani amerikane që shtrihet në pothuajse në të gjitha vendet e botës dhe ofron mundësi të pagesave online, transferimin e parave dhe shërbime të tjera.