Kontrasti mes tregut të aksioneve dhe ekonomisë reale. Tregjet financiare nuk përputhen aspak me ekonominë. Kjo do të lërë pasoja.
Historia e tregut të aksioneve ka pasur plot momente dramatike: rënia e thellë e vitit 1929; E Hëna e Zezë në vitin 1987, kur çmimet e aksioneve ranë me 20% brenda një dite; mania e dotcom në vitin 1999. Me ngjarje të tilla, asgjë nuk duhej të ishte më surprizë, por tetë javët e fundit kanë qenë vërtet të jashtëzakonshme, shkruan The Economist.
Një rënie madhe e aksioneve është ndjekur nga një manifestim delirues në Amerikë. Nga data 19 shkurt deri më 23 mars, Indeksi S&P 500 humbi një të tretën e vlerës. Më pas, menjëherë, pothuajse pa asnjë pauzë, rikuperoi më shumë se gjysmën e humbjeve. Kjo rritje u nxit nga lajmi se Rezerva Federale do të blinte bonot e korporatave, duke ndihmuar kompanitë e mëdha të financojnë borxhet e tyre. Investitorët kaluan nga gjendja e panikut në optimizëm, sa hap e mbyll sytë.
Këto lajme të mira nga Wall Street duhet t’ju shqetësojnë. Ato bien ndesh me tregjet në vendet e tjera të botës. Për shembull, aksionet në Britani dhe Europën Kontinentale janë rimëkëmbur më me vështirësi. Dhe rehatia e Wall Street është në kontrast të plotë me gjendjen e Main Street.
Edhe teksa masat izoluese po lehtësohen në Amerikë, goditja ndaj vendeve të punës ka qenë e egër dhe papunësia është rritur nga 4% në rreth 16%, shkalla më e lartë që nga fillimi i regjistrimit të këtyre shifrave në vitin 1948. Ndërkohë që aksionet e kompanive të mëdha rriten dhe ato marrin ndihmë nga Rezerva Federale, bizneset e vogla nuk po arrijnë të marrin ndihmë financiare nga qeveria federale.