Transformim të hyrjes jugore të kryeqytetit po premtojnë Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Infrastrukturës.
Me investimin e rreth një milioni euro, këto dy institucione thonë se hyrjes nga “Veterniku” do t’i japin pamje të bukur që nuk është parë akoma në Kosovë, raporton KOHA.
Ndërtimi i një mbikalimi për këmbësorë, gjelbërimi e ndriçimi i urës në hyrje të qytetit, si dhe përfundimi i rrugës problematike nacionale M2 në këtë lagje, përfshihen në memorandumin e Komunës dhe Ministrisë.
Fillimisht do të hartohet një detyrë projektuese, në të cilën do të përfshihen modalitetet që mbikalimi të jetë funksional dhe kreativ.
Në transformimin e kësaj hyrjeje do të japë kontribut edhe Asociacioni i Arkitektëve.
Këtë segment e vlerëson të ndjeshëm arkitekti shumëvjeçar, Masar Dushi, i cili kërkon që kjo pjesë të trajtohet me kujdes.
Edhe Dushi premton një projekt ndryshe nga të zakonshmit.
Në anën tjetër, çiklistët kërkojnë që në kuadër të projektit të përfshihen edhe shtigjet e çiklizmit.
Tashmë, për këtë Shpetim Shujaku ka nisur një peticion online, ku deri më tani atë e kanë nënshkruar afro 500 persona.
Shujaku beson se duhet të shfrytëzohet momentumi i krijuar gjatë pandemisë me zvogëlimin e numrit të automjeteve dhe rritjen e përdorimit të biçikletave.
Këto shtigje, sipas Komunës, do të ndërtohen në atë pjesë.
Në memorandumin e nënshkruar, Ministria ka marrë pjesën më të madhe të obligimeve, duke përfshirë financimin dhe menaxhimin e projektit.
Pas përfundimit të punimeve, Komuna do të bëjë mirëmbajtjen e gjelbërimit.