Prizreni lansoi projektin “Auto-Kamp”, i pari në Kosovë

Komuna e Prizrenit, pas realizimit të projekteve të ndryshme për pasurimin e ofertave turistike në Prizren, si kajaku, çiklizmi malor, paragllajdi, via-ferrata, shtigjet e ecjeve dhe vende për piknik, ka lansuar edhe projektin e ri për “Auto-Kamp”, i pari i llojit të tillë në Kosovë.

Kryetari Mytaher Haskuka ka njoftuar se në kuadër të këtij projekti janë krijuar hapësira për 10 vetura për kamping, hapësira të gjelbëra, ulëse për pushim, pajisje sportive dhe lodra për fëmijë.

“Në këtë vend tanimë turistët vendorë dhe ndërkombëtarë mund furnizohen edhe me rrymë dhe nevojat tjera që iu duhen një vend-kampingu të tillë. Kjo është vetëm faza e parë e këtij projekti, ku investimet do të vazhdojnë edhe më tej me kyçjen e ujit, vendosjen e dush-kabinave, si dhe do të bëhet qasja në rrugën kryesore”, tha Haskuka.

Reklama e sponzorizuar

Ai po ashtu ka falënderuar shoqatën e bjeshkatarëve ‘Sharri’ për gatishmërinë e treguar për mirëmbajtjen e kësaj hapësire që ndodhet një kilometër larg nga qendra e qytetit, ndërkaq ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë, por edhe ta mbrojnë këtë ambient, si pasuri e të gjithë qytetarëve.