Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se punëtorët e saj që janë testuar për koronavirus të hënën, kanë rezultuar të gjithë negativë. Të hënën janë testuar 46 punëtorë të KEK-ut, që ishin kontakte të nëntë punëtorëve të KEK-ut që kishin rezultuar pozitivë më herët.
“Ju njoftojmë se pas testeve të bëra për COVID 19 më 08.06.2020, KEK-u ka pranuar rezultatet nga IKSHPK-ja dhe fatmirësisht të gjithë kolegët tanë kanë rezultuar negativë. Pavarësisht këtij rezultati, rreziku nga përhapja e kësaj pandemie ende nuk ka kaluar, KEK vazhdon te jetë në kontakt të vazhdueshëm me 9 kolegët tanë që kanë rezultuar pozitivë duke përcjellë gjendjen e tyre shëndetësore edhe pse deri më tani gjendja e tyre është stabile. KEK gjithashtu është duke vazhduar me gjurmimin e të gjithë punëtorëve që dyshohet të kenë pasur kontakte me personat e infektuar duke i udhëzuar që paraprakisht të vetizolohen duke shmangur kontaktet me familjarët dhe kolegët. Në këtë drejtim, KEK-u në bashkëpunim të ngushtë me IKSHPK-në, po vazhdon të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19”, thuhet në njoftim të KEK-ut.