Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës sot mbajti mbledhjen e 39, në të cilën u morën disa vendime.
Ndër vendimet kryesore, që u morën në këtë mbledhje të rregullt ishte edhe kufizimi i pagave nëpër ndërmarrjet publike në vend, si dhe marrja e masave për parandalimin e keqpërdorimeve në këto ndërmarrje, përcjell Buletini Ekonomik.
Sipas këtij vendimi, asnjë ndërmarrje publike nuk mund të caktojë pagë mbi 2 mijë e 500 euro në muaj për asnjë zyrtarë të saj, pa pëlqimin e ministrit.
Gjithashtu, mbështetur në këtë vendim të sotëm të Qeverisë në detyrë, asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të lidhë kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjegjës, nëse kontrata përmban klauzolë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh ndërkombëtar, zbatimin e së drejtës së huaj ose detyrim për të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar që tejkalon vlerën e 5 mijë eurove.
Më poshtë, gjeni edhe pikat e tjera të këtij vendimi për ndërmarrjet publike qendrore në Kosovë:
“2. U morën masat për parandalimin e keqpërdorimeve në Ndërmarrje Publike, të cilat përfshijnë:
2.1 Asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të caktojë pagë mbi 2.500,00 € në muaj për një zyrtar të saj, pa pëlqimin e ministrit përgjegjës.
2.2 Nevojën që çdo ndërmarrje publike qendrore të krijojë një sistem të mirëfilltë dhe të njësuar të menaxhimit të kontratave komerciale.
2.3 . Asnjë ndërmarrje publike qendrore nuk mund të lidhë kontratë komerciale pa pëlqimin e ministrit përgjegjegjës, nëse kontrata përmban klauzolë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me arbitrazh ndërkombëtar, zbatimin e së drejtë së huaj ose detyrimpër të paguar dënim kontraktues ose dëmshpërblim të likuiduar që tejkalon vlerën 5.000,00 €.
2.4 Çdo kontratë komerciale mes një ndërmarrjeje publike qendrore dhe një operatori ekonomik të regjistruar në Republikën e Kosovës duhet të jetë në njërën ose të dy gjuhët zyrtare.
2.5 Të gjitha ndërmarrjet publike qendrore duhet të ushtrojnë kujdes që shpenzimet operative dhe punësimet e reja të mos cenojnë likuiditetin e ndërmarrjes.
2.6 Secila ndërmarrje publike duhet të mirëmbajë faqen e saj zyrtare dhe të botojë dokumentet që kërkohet të jenë publike sipas ligjit.
2.7 Secila ndërmarrje që ofron shërbime për qytetarët duhet të mundësojë pagimin elektronik të faturava.
2.8 Ndërmarrjet publike qendrore në sektorin e ujërave duhet të planifikojnë zvogëlimin e humbjeve teknike dhe komerciale.”
Ndryshe, përpos këtij vendimi për masat nëpër ndërmarrjet publike, gjatë mbledhjes së sotme u morën edhe vendime tjera.
U shkarkua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A, dhe u emërua Bordi i përkohshëm i saj, me këtë përbërje:
– z. Bajram Mustafa, kryesues dhe drejtor,
– znj. Nora Ibishaga, drejtore,
– z. Bislim Fetahaj, drejtor, dhe
– z. Edin Hajdarpasic, drejtor.
U ndanë 60 mijë euro për familjet e minatorëve që humbën jetën tragjikisht në Minierën e Artanës më 2 qershor 2020, pra dje.
U aprovua propozimi për ndarjen e 12 milionë eurove si mjete shtesë nga kontigjenca e Ministrisë së Finacave dhe Transfereve për MEPTINIS në shërbim të zbatimit të Pakos Fiskale Emergjente.
U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për fillimin e procedurave për themelimin e një mekanizmi të përbashkët me Republikën e Shqipërisë, për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë.
Gjithashtu, u aprovua edhe kërkesa e Ministrisë së Financave dhe Transfereve për fillimin e procedurave për krijimin e mekanizmit për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar (Kartoni i Gjelbër) nga Qeveria e Republikës së Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020. /Buletini Ekonmik/