Qeveria parasheh rishikim të projektit “Kosova e Re”

Rishikim të projektit për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” ka paraparë Qeveria Hoti në programin qeverisës. Në pjesën ku flitet për energji thuhet se “ky termocentral do të realizohet në afat optimal dhe me kosto të përballueshme”.

Por aty nuk ka dhënë detaje se si do të realizohet ky projekt, kur do të rishikohet apo si do të vazhdohet me kontratën e nënshkruar nga ish-Qeveria Haradinaj.

Në fund të muajit maj, investitori “Contour Global” njoftoi se synon shkëputjen e marrëveshjes me Qeverinë për ndërtimin e “Kosovës së Re”, duke kërkuar 20 milionë euro për shpenzimet që thotë se i ka bërë për projektin.

Reklama e sponzorizuar

Oda Ekonomike Amerikane konsideron se për të shmangur dëmin financiar të Kosovës, do të ishte ideale që Qeveria e re dhe kompania “Contour Global”, të ktheheshin në tryezën e negocimit. Sipas kryetarit Arian Zeka, tërheqja e kësaj kompanie nga ndërtimi i termocentralit i jep imazh të keq Kosovës në sy të investitorëve.

“Kthimi i projektit të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ në mesin e prioriteteve të Qeverisë së re është më se i nevojshëm për të ardhmen energjetike të vendit. Duke pasur parasysh kërkesën për dëmshpërblim nga ana e investitorit të kaluar të përzgjedhur dhe për të shmangur çfarëdo dëmi financiar të Kosovës, do të ishte ideale që palët të ktheheshin në tryezën e negocimit, edhe pse druaj se tashmë mund të jetë vonë dhe mund ta kemi humbur këtë mundësi”, ka thënë Zeka

Por Dardan Abazi nga INDEP-i tha se për ta ky projekt është “i vdekur”.

“Banka Botërore nuk e mbështet e madje edhe vetë investitori i përzgjedhur, ‘Contour Global’ është tërhequr tashmë nga kontrata. Qeveria duhet të bëjë publike të gjitha procedurat dhe të bëjë transparente gjithë procedurën e ndjekur, përfshirë negociatat për të hedhur dritë mbi procesin që rezultoi me kontratën më të dëmshme për Kosovën që nga paslufta. Përveç kësaj, me ndaljen e këtij projekti të dëmshëm, ka shansin unik që me ndihmën e partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë të realizojë studime të mirëfillta me projeksione të modeluara që mundësojnë formësim të politikave të energjisë të bazuara në të dhëna dhe nevoja reale”, ka thënë Abazi.

KOHA ka provuar që të kontaktojë ministrin e ri të Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, lidhur me kërkesën e kompanisë “Contour Global”, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Investitori “Contour Global” vitin e kaluar kishte njoftuar se planifikon të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit me kapacitet prej 500 megavatësh. Si shkak kishte përmendur edhe formimin e ish-Qeverisë Kurti, pasi, siç ka thënë, ish-kryeministri Kurti publikisht e ka kundërshtuar këtë projekt.

Marrëveshja për ndërtimin e “Kosovës së Re” ishte nënshkruar në dhjetor të 2017-s. Në qershor të 2018-s kjo kompani kishte hapur tender për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.